Incidenti në Natanz komplikon diplomacinë bërthamore me Iranin

Incidenti në Natanz komplikon diplomacinë bërthamore me Iranin

Bota April 15, 2021 - 08:18

Një akt sabotazhi në uzinën kryesore bërthamore të Iranit, Natanz, mbase ka komplikuar bisedimet e nisura në Vjenë të Austrisë që kanë për qëllim rivënien në zbatim të një marrëveshjeje bërthamore mes Iranit dhe fuqive botërore e arritur në vitin 2015.

Irani e ka fajësuar Izraelin për sulmin në uzinë dhe vetëm dy ditë pas incidentit njoftoi se do të fillojë pasurimin e uraniumit me 60 për qind pastërti. Ky është niveli më i lartë deri më tash.

Më 14 prill, presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha se ky vendim vjen si reagim ndaj sulmit në objektin e fshehtë nëntokësor.

“Përgjigjja ndaj djallëzisë suaj është: pasurimi në 60 për qind i uraniumit”, tha Rohani.

“Ajo që bëjmë ne është e ligjshme, ndërsa ajo që bëni ju është terrorizëm bërthamor”, tha ai.

Që kur ndodhi incidenti në Natanz, Irani ka thënë se ai është një akt i “terrorizmit bërthamor”, duke potencuar se sulmi kishte për qëllim që të pengojë zhvillimin e negociatave indirekte mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Negociatat mes vendeve që kanë mbetur palë në marrëveshje dhe Teheranit po zhvillohen në Vjenë. Shtetet e Bashkuara nuk po marrin pjesë direkt në bisedime, mirëpo një delegacion amerikan po qëndron në një vend afër Hotelit ku po mbahen bisedimet. Negociatat kanë për qëllim të kthejnë Uashingtonin në marrëveshje dhe të detyrojnë Teheranin ta zbatojë atë plotësisht.

I dërguari i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Kazem Gharibabadi, tha më 14 prill se pasurimi 60 për qind i uraniumit do të fillojë javën e ardhshme. Sipas marrëveshjes të arritur në vitin 2015, mes gjashtë fuqive botërore dhe Iranit, parashihej që Teheranit t'i lejohet të pasurojë uraniumin deri në 3.67 për qind.

Për të prodhuar bombë bërthamore, pasurimi i uraniumit duhet të jetë 90 për qind.

Në muajin janar, parlamenti Iranian miratoi një ligj përmes të cilit i kërkonte qeverisë që të rrisë nivelet e pasurimit të uraniumit. Ligji u miratua pas vrasjes në Teheran, të shkencëtarit të lartë bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh. Për vrasjen e tij dyshimet u drejtuan kah Izraeli. Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 është kundërshtuar prej kohësh nga Izraeli.

"Ne nuk duhet t'i kthehemi marrëveshjes së rrezikshme bërthamore me Iranin, sepse një Iran bërthamor është një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit dhe një kërcënim i madh për sigurinë e të gjithë botës", ka thënë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu./REL

Shkrimin e plotë mund ta lexoni  KËTU