Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Britania kërkon alternativë ndaj vaksinës së “AstraZeneca” për personat nën 30 vjeç

Britania kërkon alternativë ndaj vaksinës së “AstraZeneca” për personat nën 30 vjeç

Bota April 07, 2021 - 19:12

Komiteti këshillimor i vaksinave i Britanisë së Madhe tha të mërkurën se vendi duhet të japë një alternativë ndaj vaksinës së COVID-19 të “Oxford / AstraZeneca” për personat nën 30 vjeç kur është e mundur, për shkak të një efekti të rrallë anësor “pothuajse të padukshëm” të mpiksjes së gjakut në tru, shkruan “Reuters”, transmeton “Zeri.info”

Pas raporteve që e lidhin vaksinën me një çrregullim të mpiksjes së gjakut në tru në disa raste të personave të vaksinuar, shqetësimet për sigurinë u rritën dhe kanë nxitur shumë vende në botë në javët e fundit të ndërpresin përdorimin e vaksinës, e cila u është dhënë dhjetëra miliona njerëzve në Evropë.

Wei Shen Lim, kryetar i Komitetit të Përbashkët të Britanisë për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), tha se bazuar në të dhënat dhe provat e disponueshme, komiteti ka këshilluar që është e preferueshme që të rriturve të moshës nën 30-vjeç pa sëmundje shoqëruese t’u ofrohet një alternativë ndaj vaksinës “AstraZeneca” aty ku është e mundshme.

Ai tha se për të rinjtë, ku rreziqet e hospitalizimit ishin shumë më të ulëta, kalkulimi mes rrezikut dhe përfitimit nga vaksina “Oxford/AstraZeneca” nënkuptoi se vaksinat tjera ishin më të preferueshme.

“Ne po këshillojmë të ketë preferencë për një vaksinë ndaj një vaksine tjetër për një grup-moshë të veçantë, dhe kjo vjen nga kujdesi më i madh, e jo pse kemi ndonjë shqetësim serioz të sigurisë”, tha Lim në një konferencë. Ai tha se njerëzit duhet të vazhdojnë të marrin dozën e dytë të “AstraZeneca”-s nëse e kanë marrë të parën.

Ky rekomandim erdhi pasi rregullatori i mjekësisë MHRA i Britanisë identifikoi një efekt të mundshëm anësor nga vaksina COVID-19 e zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit dhe “AstraZeneca” që përfshin mpiksjen e rrallë të gjakut në tru.

Rregullatorët e mjekësisë të Evropës dhe Britanisë kanë hetuar një numër të vogël të raporteve të mpiksjes së gjakut në tru, të njohur si trombozë e sinusit venoz cerebral (CVST), që kanë ndodhur në kombinim me nivele jashtëzakonisht të ulëta të trombociteve të gjakut pasi njerëzve u është dhënë vaksina.

Shefja ekzekutive e MHRA-së, June Raine, tha se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet nga ajo. Kryetari i Komisionit për Barnat Njerëzore, Munir Pirmohamed, tha se lidhja midis mpiksjeve të gjakut, numrit të ulët të trombociteve dhe vaksinës “AstraZeneca” po “forcohej”

“Prova absolute e lidhjes midis efekteve anësore të vaksinës do të ketë nevojë për punë të gjerë shkencore bazuar në provat e disponueshme aktualisht”, tha ai në një konferencë shtypi.

Zëvendëskryeshefi i Mjekësisë në Britani, Jonathan Van-Tam, tha se kjo lëvizje do të kishte një ndikim të papërfillshëm në ritmin e shpërndarjes së vaksinave në Britani.

Shpërndarja e vaksinës “Moderna” filloi të mërkurën, ndërsa Britania po e shpërndan edhe vaksinën e “Pfizer”-it. Raine tha se mbi 20 milionë doza të vaksinave “AstraZeneca” ishin dhënë deri më 31 mars, me 79 raporte të rasteve të efektit anësor dhe 19 vdekje. /Zëri