Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Çekia ndërron katër ministra të Shëndetësisë vetëm gjatë pandemisë
Foto: AP

Çekia ndërron katër ministra të Shëndetësisë vetëm gjatë pandemisë

Bota April 07, 2021 - 17:38

Kryeministri çek, Andrej Babis, të mërkurën ka shkarkuar ministrin e tij të Shëndetësisë, i treti me radhë që shkarkohet gjatë pandemisë në një prej vendeve më të goditura nga virusi në Evropë.

Jan Blatny u zëvendësua nga Petr Arenberger, drejtor i Spitalit Universitar të Pragës “Vinohrady”, i cili u betua para presidentit Milos Zeman, raporton AP.

Ky veprim hap rrugën për një përdorim të mundshëm të vaksinave ruse dhe kineze, të cilat nuk janë aprovuar nga rregullatori i BE-së për barnat, transmeton Zeri.info.

Babis vazhdimisht ka kritikuar Blatnyn për mënyrën se si e ka menaxhuar pandeminë, përfshirë edhe vendosjen e kushteve të ashpra për përdorimin e barnave eksperimentalë për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Blatny u kritikua edhe nga Zemani, një aleat i Babisit i cili njihet për qasjen e tij pro-ruse dhe pro-kineze. Zemani muajin e kaluar kërkoi nga kryeministri ta zëvendësojë Blatnyn për shkak të refuzimit të tij për të lejuar përdorimin e vaksinës ruse “Sputnik V” për shkak se ajo nuk është aprovuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Presidenti çek tha se ka kontaktuar me homologët e tij rusë, kinezë dhe izraelitë me kërkesë për ta ndihmuar vendin me vaksina dhe ka pranuar përgjigje pozitive nga të gjithë. Izraeli ka dhuruar 5,000 vaksina “Moderna” për Republikën Çeke në shkurt.

“Fatkeqësisht, paraardhësi juaj e ka bllokuar procesin”, i tha Zemani Arenbergerit në një ceremoni, duke fajësuar Blatnyn për viktimat.

Blatny hodhi poshtë këtë kritikë. Ai tha se ka lejuar përdorimin e vetëm vaksinave të aprovuara për ta siguruar popullin “se janë të sigurta, të testuara dhe funksionojnë vërtet. Dhe e njëjta vlen edhe për barnat kundër COVID-it”.

“Vendimet e mia gjithmonë kanë qenë të bazuara në të dhëna dhe analiza shkencore”, tha Blatny.

Vaksina e diskutueshme ruse bëri që qeveria e kryeministrit Igor Matoviç në Sllovakinë fqinje të rrëzohej pasi ai orkestroi një marrëveshje të fshehtë për të blerë 2 milionë vaksina “Sputnik V” – megjithë mosmarrëveshjet nga partnerët e tij të koalicionit.

Blatny mori postin më 29 tetor duke zëvendësuar epidemiologun Roman Prymula, i cili u lirua nga detyra pasi u fotografua në një restorant i cili do duhej të ketë qenë i mbyllur si pasojë e masave kufizuese në vend.

Blatny, specialist në hematologjinë pediatrike, ishte zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar në qytetin e dytë më të madh çek, Brno, para se të merrte postin e ministrit të Shëndetësisë.

Prymula e kishte zëvendësuar Adam Vojtechun në këtë post më 21 shtator, për të mundësuar një qasje tjetër ndaj pandemisë mes infeksioneve që kishin shpërthyer.

Shkarkimi i fundit vjen në kohën kur infektimet me koronavirus në Republikën Çeke janë në rënie. Të martën, rastet ditore ishin 5,522, numri më i ulët njëditor që nga 14 dhjetori.

Vendi me 10.7 milionë banorë ka raportuar 1.65 milionë raste të konfirmuara, dhe 27,329 vdekje. /Zëri