Zvicra voton sot në referendum për ndalimin e ferexhesë
Foto: Ilustrim / Reuters / Getty Images

Zvicra voton sot në referendum për ndalimin e ferexhesë

Bota March 07, 2021 - 11:09

Me iniciativën nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e ekstremit të djathtë, zviceranët do të votojnë sot në referendumin për të ndaluar mbulimin e fytyrave në publik, apo siç njihet ndryshe, ferexhenë.

Sondazhet e opinioneve tregojnë se shumica e zviceranëve do ta mbështesin atë dhe ndalimi do të bëhet ligj.

“Në Zvicër tradita jonë është që ju të tregoni fytyrën. Kjo është një shenjë e lirive tona themelore”, tha Walter Wobmann, deputet i SVP-së dhe kryetar i Komitetit të Referendumit, shkruan Reuters, transmeton Zeri.info.

Propozimi i paraprinë pandemisë COVID-19, ku të gjithë të rriturit janë të detyruar të përdorin maska në shumë ambiente për të parandaluar përhapjen e infeksionit.

Propozimi komplikon marrëdhëniet e tensionuara të Zvicrës me islamin pasi qytetarët votuan për të ndaluar ndërtimin e çdo minareje të re në vitin 2009. Dy kantone tashmë kanë ndalime lokale në mbulesat e fytyrës.

Wobmann tha se votimi nuk ishte kundër islamit, por shtoi, “mbulesa e fytyrës është një simbol për islamin politik ekstrem, i cili është bërë gjithnjë e më i spikatur në Evropë dhe që nuk ka vend në Zvicër”.

Franca ndaloi të mbulohet fytyra e plotë në publik në vitin 2011 dhe Danimarka, Austria Holanda dhe Bullgaria kanë ndalime të plota ose të pjesshme të veshjes së mbulesave të tilla.

Askush në Zvicër nuk mban burka dhe vetëm rreth 30 gra mbajnë ferexhe, vlerëson Universiteti i Luzernit. Myslimanët përbëjnë 5.2% të popullsisë zvicerane prej 8.6 milionë njerëzish, me shumicën e rrënjëve të tyre në Turqi, Bosnjë dhe Kosovë, shkruan Reuters.

Myslimanët zviceranë kanë thënë se partitë e krahut të djathtë po përdornin votën për të mbledhur mbështetësit e tyre dhe për t'i demonizuar ata dhe të tjerët duke paralajmëruar se një ndalim mund të shkaktojë ndarje më të gjera.

“Ferexheja është një fletë boshe që i lejon njerëzit të projektojnë frikën e tyre mbi të”, tha Andreas Tunger-Zanetti, menaxher i Qendrës së Universitetit të Luzernit për Kërkime mbi Fenë.

“Por ... ka pak gjasa të takoni dikë në një rrugë zvicerane të veshur me një të tillë”.

Ai tha se një ndalim rrezikonte të forconte imazhin e Zvicrës si anti-islamike dhe mund të krijonte pakënaqësi tek disa myslimanë.

Rifa'at Lenzin, një grua myslimane zvicerane 67-vjeçe, tha se ajo ishte plotësisht kundër ndalimit, i cili po trajtonte një problem që nuk ekzistonte, në një vend ku myslimanët ishin integruar mirë.

“Ndryshimi i kushtetutës për t'i treguar njerëzve se çfarë mund dhe nuk mund të veshin është një ide shumë e keqe. Kjo është Zvicra, jo Arabia Saudite”.

“Ne jemi myslimanë por jemi qytetarë zviceranë që jemi rritur këtu”, tha Lenzin. “Ky votim është thjesht racist dhe islamofob”.

Megjithëse nisma popullore kërkon një ndalim të përgjithshëm të mbulimit të fytyrës- përfshirë edhe huliganët në lojërat e futbollit – iniciatorët janë fokusuar kryesisht tek gratë myslimane që veshin burka ose ferexhe. Iniciatorët argumentojnë se çdo formë e mbulesës së plotë simbolizon shtypjen e grave myslimane. /Zëri