Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Mbi 300 të nominuar për çmimin “Nobel për Paqe”

Mbi 300 të nominuar për çmimin “Nobel për Paqe”

Bota March 01, 2021 - 21:45

Komiteti Norvegjez i Nobelit tha se ka marrë 329 nominime për Çmimin Nobel për Paqe, në vitin 2021.

Organizata me seli në Oslo tha se ky është numri i tretë më i lartë i kandidatëve, i regjistruar ndonjëherë.

Rekordi prej 376 kandidatësh është arritur në vitin 2016.

Nominimet e këtij viti përfshijnë 234 individë dhe 95 organizata.

“Kjo pasqyron shumë interes ndërkombëtar për Çmimin Nobel për Paqe”, tha sekretari i Komitetit të Nobelit, Olav Njoelstad.

Komiteti nuk zbulon se kush është nominuar. Por, ata që nominojnë, mund t’i zbulojnë zgjedhjet e tyre.

Të nominuarit për këtë vit përfshijnë liderin rus të opozitës, Aleksei Navalny, lideren në mërgim të opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, aktivisten suedeze të klimës, Greta Thunberg, dhe aktivisten e të drejtave në SHBA, Stacey Abrams.

Lista përfshin edhe ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Organizatat e nominuara përfshijnë Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Rrjetin Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve dhe vëzhguesit e mediave: Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Laureati i Nobelit për këtë vit do të shpallet në tetor.

Programi Botëror për Ushqim e ka fituar Nobelin për Paqe vitin e kaluar./REL