Pasaporta e gjelbër e COVID-19 që lejon lëvizjen e qytetarëve shkakton debate në BE

Pasaporta e gjelbër e COVID-19 që lejon lëvizjen e qytetarëve shkakton debate në BE

Bota March 01, 2021 - 21:21

Udhëtimet ndërkombëtare për punë apo turizëm mund të bëhen të mundura sërish për sezonin e ardhshëm turistik.

Komisioni Evropian do të bëjë një propozim për një “leje të gjelbër” përpara fundit të marsit, teksa po bëhet gati të avancojë procesin e imunizimit.

Në një postim në Twitter, presidentja Ursula von der Leyen sqaroi se pasaporta digjitale synon të provojë si kryerjen e vaksinimit ashtu dhe rezultatin e testit të COVID.

Njoftimi vjen disa ditë pasi liderët e BE-së ranë dakord të hartojnë një plan për sistemin e certifikatave digjitale brenda verës.

Sipas kancelares gjermane Angela Merkel, sistemi i pasaportave mund të jetë gati dhe të funksionojë brenda 3 muajsh.

Sidoqoftë, në radhët e BE-së ka një debat mbi mënyrën e përdorimit të kësaj lejeje.

Vendet që varen nga turizmi, si Greqia, dhe grupet e linjave ajrore, dëshirojnë që dokumenti të shërbejë si një “pasaportë vaksinimi”, që u lejon udhëtarëve të shmangin karantinën.

Por shumë vende anëtare, si Franca dhe Gjermania, mendojnë se një gjë e tillë është e parakohshme.

Ata druhen se do të krijojë dy nivele shoqërore, ku të vaksinuarit të gëzojnë jetën e lirë, ndërsa shumica, që pret vaksinimin, të vazhdojë të vuajë kufizimet./Euronews.al