Infektuar: 102742
Shëruar: 89141
Vdekur: 2105
Guterres: Ndërprerja e ndihmës për Jemenin, “dënim me vdekje”

Guterres: Ndërprerja e ndihmës për Jemenin, “dënim me vdekje”

Bota March 01, 2021 - 19:35

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, paralajmëroi të hënën kundër zvogëlimit të ndihmës së premtuar, për të mbështetur Jemenin këtë vit.

“Reduktimi i ndihmës është një dënim me vdekje për familje të tëra”, tha Guterres, duke iu drejtuar një konference ndërkombëtare të donatorëve për vendin e shkatërruar nga lufta.

Ai tha se këtë vit nevojiten 3.85 miliardë dollarë për të siguruar mbështetje për 16 milionë jemenas, që ndodhen “në prag të katastrofës”.

Gati 50,000 jemenas janë duke vdekur nga uria, shtoi ai.

Guterres paralajmëroi se përshkallëzimi i fundit i luftimeve në provincën Mareb, të cilën rebelët Huthi po përpiqen ta marrin nga forcat pro-qeveritare, “kërcënon të zhvendosë qindra mijëra banorë të tjerë”.

Shumë prej tyre janë detyruar t’i lënë shtëpitë gjatë viteve të konfliktit.

“Ndihma që premtoni sot jo vetëm që do të parandalojë përhapjen e urisë dhe do të shpëtojë jetë, por do të ndihmojë në krijimin e kushteve për paqe të qëndrueshme”, tha Guterres.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile qysh në vitin 2015.

Mbi 100,000 njerëz janë vrarë në luftime, ndërsa shumica e popullsisë është në prag të urisë.

Konflikti zhvillohet ndërmjet grupit rebel Huthi, i cili mbështetet nga Irani, dhe Qeverisë së mbështetur nga sauditët./REL