Presion mbi prodhuesit e vaksinave, AstraZeneca: Duam të ndihmojnë Evropën që të bëhet e pavarur

Presion mbi prodhuesit e vaksinave, AstraZeneca: Duam të ndihmojnë Evropën që të bëhet e pavarur

Bota February 26, 2021 - 08:35

Drejtuesve të Bashkimit Evropian po u soset durimi me kompanitë farmaceutike.

Liderët e unionit ranë dakord për të ushtruar më shumë presion mbi prodhuesit e vaksinave për të përshpejtuar procesin e shpërndarjes së dozave dhe për të respektuar angazhimet e nënshkruara në kontrata.

"Ne kemi vendosur një objektiv të përgjithshëm për vendet anëtare që ata duhet të vaksinojnë një minimum prej 70 përqind të popullsisë së tyre të rritur deri në verë. Është një qëllim ambicioz, por është i arritshëm. Parashikueshmëria rreth dërgesave është thelbësore për një shpërndarje efikase. Dhe së bashku me vendet anëtare, ne vërtet jemi duke punuar 24 orë në 7 ditë  dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kompanitë ti përmbahen marrëveshjeve ", u shpreh Stella Kyriakedes, komisionerja evropiane e Shëndetësisë.

Udhëheqësve të kompanive farmaceutikë iu kërkuan shpjegime nga Parlamenti Evropian. Shumë prej tyre ishin të qartë duke premtuar se aftësia e tyre për të prodhuar doza do të përforcohet.

"Së pari, ne duhet të kapim çdo mundësi për të rritur kapacitetin prodhues, për ta bërë këtë si një kompani që bën investime të reja, të rëndësishme, siç është partneriteti ynë i fundit me ‘IDT Biologika’ në Gjermani, i cili do të zgjeronte kapacitetet evropiane dhe do të krijonte një nga kapacitetet më të mëdha. Ne duam të ndihmojmë Evropën që të bëhet e pavarur në furnizimin e saj të prodhimit”, tha Pascal Soriot, kreu Ekzekutiv të AstraZeneca-s.

COVID-19 ka vrarë më shumë se 531,000 njerëz në të gjithë BE-në. Me rritjen e të infektuarve me variantet e reja të virusit, unioni  shqetësohet gjithnjë e më shumë se, pavarësisht blerjes së dozave më shumë se sa nevojitet, mungesa e furnizimit mund të pengojë planet e tyre të vaksinimit, dhe për këtë arsye,  do të vonojë rimëkëmbjen ekonomike. /euronewsal