Navalny transferohet në një burg jashtë Moskës

Navalny transferohet në një burg jashtë Moskës

Bota February 26, 2021 - 08:23

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexey Navalny është dërguar në një burg jashtë Moskës për të vuajtur dënimin, tha avokati i tij të enjten, një veprim që vjen pavarësisht një kërkese për lirimin e tij nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i zotit Navalny, Vadim Kobzev nuk njoftoi menjëherë emrin e burgut ku u dërgua Navalny. Agjencitë ruse të lajmeve kanë njoftuar më parë se Navalny, i cili është mbajtur në një burg të sigurisë maksimale në Moskë, mund të dërgohej në një burg në Rusinë perëndimore.

Alexey Navalny, 44 vjeç, kundërshtari më i zëshëm i Presidentit rus Vladimir Putin, u arrestua më 17 janar kur po kthehej nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u rikuperuar nga një helmim me agjentë nervorë për të cilin ai e ka fajësuar Kremlinin. Autoritetet ruse e kanë hedhur poshtë akuzën dhe e kanë akuzuar Navalny për bashkëpunim me agjencitë perëndimore të zbulimit, pretendime që ai i ka quajtur qesharake.

Në fillim të këtij muaji, Navalny u dënua me 2.5 vjet burg për shkeljen e dënimit me kusht, ndërsa po shërohej në Gjermani. Dënimi ishte pjesë e akuzave për përvetësim parash të ngritura në 2014 që Navalny i ka quajtur të sajuara, dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR) e ka quajtur të paligjshëm vendimin e gjykatës ruse për këtë çështje.

Arrestimi i Navalnyt ka nxitur një valë protestash nga dhjetëra mijëra njerëz në të gjithë Rusinë. Autoritetet kanë arrestuar rreth 11,000 njerëz, shumë prej të cilëve u gjobitën ose u burgosën me nga shtatë deri në 15 ditë.

Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të liruar Navalnyn dhe për të ndalur shtypjen e mbështetësve të tij.

Moska gjithashtu hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila citonte rrezikun për jetën e Navalnyt në burg në thirrjen e saj për lirimin e tij nga qeveria ruse. Kremlini e ka quajtur kërkesën e gjykatës evropiane një ndërhyrje të paligjshme dhe "të papranueshme" në punët e brendshme të Rusisë.

Më parë këtë javë, ministrat e jashtëm të BE-së ranë dakord të vendosnin sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë të lidhur me burgimin e Navalnyt.

Që nga arrestimi i Navalnyt, zyrtarët rusë dhe mediat shtetërore të lajmeve janë përpjekur në mënyrë agresive ta diskreditojnë atë, një ndryshim nga taktika e mëparshme e injorimit të tij.

Disa nga kritikat kanë theksuar pikëpamjet anti-emigrantëve të shprehura vite më parë ndërsa popullariteti i tij po ngrihej.

Amnesty International këtë javë tërhoqi përcaktimin e Navalnyt si "i burgosur i ndërgjegjes" për shkak të atyre pikëpamjeve. "Në të kaluarën, Navalny ka bërë komente, që mund të kishin arritur kufirin e mbështetjes së urrejtjes dhe që përbënin nxitje të diskriminimit, dhunës ose armiqësisë", tha organizata të enjten.

Deklarata mohonte se vendimi ishte në përgjigje të presionit të jashtëm, por njoftimet e agjencive të lajmeve kanë sugjeruar se Amnesty International ishte objekt i një fushate të koordinuar për ta diskredituar atë.

"Këta nuk ishin aktivistë që vepruan në mënyrë të pavarur ... ata ishin njerëz që dëshironin të shpifnin kundër Alexey Navalnyt si kundërshtari më i shquar i zotit Putin", tha Vladimir Ashurkov, drejtor ekzekutiv i organizatës anti-korrupsion të Navalnyt, të enjten në një konferencë me gazetarët.

Amnesty International tha se heqja dorë nga emërtimi i të burgosurit të ndërgjegjes nuk e ndryshon kërkesën e saj për lirimin e Navalnyt.

"Nuk duhet të ketë konfuzion: Asgjë që Navalny ka thënë në të kaluarën nuk e justifikon burgosjen e tij aktuale, që është thjesht e motivuar politikisht. Navalny është ndaluar në mënyrë arbitrare për ushtrimin e të drejtës së tij të lirisë së shprehjes, dhe për këtë arsye, ne vazhdojmë të bëjmë fushatë për lirimin e tij të menjëhershëm", thuhet në deklaratën e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International. /voa