Bideni miraton sulme kundër milicive pro iraniane në Siri

Bideni miraton sulme kundër milicive pro iraniane në Siri

Bota February 26, 2021 - 08:06

Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në Sirinë lindore, duke shënjestruar objektet e përdorura nga milicitë pro-iraniane, në kufi me Irakun, bëri të ditur Pentagoni.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se operacioni u zhvillua në përgjigje të sulmeve me raketa, që u kryen në fillim të këtij muaji në një bazë irakiane, që strehonte trupat e SHBA-së dhe të koalicionit.

Pentagoni e cilësoi aksionin si një “përgjigje proporcionale ushtarake”, që u mor “së bashku me masat diplomatike”, përfshirë konsultimin me partnerët e koalicionit.

“Operacioni dërgon një mesazh të qartë: presidenti [Joe] Biden do të veprojë për të mbrojtur personelin amerikan dhe të koalicionit”, tha Pentagoni.

Sipas deklaratës, sulmet goditën “objekte të shumta” në një pikë kontrolli në kufirin Siri-Irak, që përdorej nga disa grupe të milicive të mbështetura nga Irani, përfshirë grupet irakiane shiite Kaitib Hizballah dhe Kaitib Sayyid al-Shuhada.

Pentagoni nuk tha nëse grupet e milicive pësuan viktima ose cilat objekte u goditën.

Por, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se 17 anëtarë të Njësive të Mobilizimit Popullor, të lidhura me shtetin e Irakut, u vranë, pasi sulmet goditën tre kamionë të ngarkuar me municione.

Njësitë e Mobilizimit Popullor janë një forcë paraushtarake, e përbërë nga disa grupe të milicive kryesisht shiite irakiane.

Republikani i lartë në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Michael McCaul, tha se sulmet ishin veprimi i duhur.

“Përgjigjet si kjo janë parandaluese të domosdoshme dhe i kujtojnë Iranit, përfaqësuesve të tij dhe kundërshtarëve tanë në të gjithë botën, se sulmet ndaj interesave të SHBA-së nuk do të tolerohen”, tha McCaul.

Sulmet u bënë dhjetë ditë pas tre sulmeve me raketa, që goditën një bazë ushtarake në Aeroportin Ndërkombëtar të Irbilit, në rajonin gjysmë-autonom të Irakut, Kurdistan. Një kontraktor civil u vra në këto sulme, ndërsa një ushtar amerikan dhe pesë kontraktorë të tjerë u plagosën.

Ditë më vonë, një sulm tjetër me raketa goditi një bazë të forcave amerikane në veri të Bagdadit, duke plagosur së paku një kontraktor. Në fillim të kësaj jave, një tjetër breshëri raketash shënjestroi Ambasadën amerikane në Bagdad.

Një grup militant shiit, që e quan veten Garda e Brigadës së Gjakut, mori përgjegjësinë për sulmin në Irbil.

Nën ish-presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar milicitë irakiane, të mbështetura nga Irani, për sulme të vazhdueshme me raketa në bazat e ushtarëve amerikanë, si dhe në Ambasadën e SHBA-së në Zonën e Gjelbër të Bagdadit.

Tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar pasi Trump, në janar të vitit të kaluar, ka urdhëruar një sulm me dron në Bagdad, në të cilin ka mbetur i vrarë gjenerali i lartë i Iranit, Qasem Soleimani, si dhe udhëheqësi i grupit Kaitib Hizballah, Abu Mahdi al-Muhandis.

Vdekja e dy komandantëve ka bërë që grupet e milicive irakiane dhe partitë politike aleate, të bëjnë thirrje për dëbimin e forcave amerikane nga Iraku. /rel