Pezullohet plani i Netanyahut për të dhuruar vaksina

Pezullohet plani i Netanyahut për të dhuruar vaksina

Bota February 25, 2021 - 20:51

Prokurori i Përgjithshëm i Izraelit, Avichai Mandelblit, tha të enjten se ai ka marrë një numër kërkesash për të vlerësuar iniciativën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu për të dhuruar vaksina për disa shteteve mike.

Iniciativa e kryeministrit izraelit është vënë në pikëpyetje për faktin se nëse është ligjore apo jo.

Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm Avichai Mandelblit tha se një nga kërkesat për të vlerësuar ligjshmërinë erdhi nga vet këshilltari i Netanyahut për siguri kombëtare, i cili i tha atij se ishte udhëzuar për të "ngrirë çdo veprim për këtë çështje".

Një sasi e dozave të vaksinave sipas këtij plani ishte paraparë që të dërgohej në disa vende të largëta të Afrikës dhe Amerikës Latine.

Grupe të ndryshme për të drejtat e njeriut kanë reaguar ndaj planeve të qeverisë izraelite duket thënë se nuk është e drejtë dhurimi i vaksinave në një kohë kur territoret fqinje Palestineze nuk kanë të tilla.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz bëri thirrje për një ndalim të dërgesave, duke thënë se rezervat e vaksinave të Izraelit janë pronë e shtetit.

Ai kritikoi kryeministrin duke vënë në dyshim pretendimet e Netanyahut se ka me të vërtetë furnizime të tepërta kur sipas tij, izraelitët ende nuk janë vaksinuar plotësisht.

"Kjo nuk është hera e parë që vendimet e rëndësishme të mbrojtjes dhe diplomatike po merren pas shpinës së organeve përkatëse, duke dëmtuar ndoshta sigurinë tonë kombëtare, marrëdhëniet tona të jashtme dhe shtetin ligjor", shkroi Gantz.

Ai kërkoi që çështja të sillet për diskutim para Kabinetit të Sigurisë së Izraelit dhe tha se ai i kishte kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm një mendim për këtë çështje.

Netanyahu i cili po garon për rizgjedhje më 23 mars, ka shënuar një sukses politik me fushatën e suksesshme të vaksinimit ku gjysma e popullatës së këtij shteti tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19.

Izraeli ka rreth 9.3 milionë banorë, 2.5 milionë prej tyre tashmë janë vaksinuar me vaksinën e Pfizer/BioNTech.

Të mërkurën, Netanyahu tha se Izraeli ka qindra-mijëra vaksina të tepërta dhe njoftoi se ai personalisht vendosi të ndajë një sasi të vogël për disa vende mike, raporton AP./rel