6.500 punëtorë të huaj vdiqën në Katar nga nisja e punës për Kupën e Botës

6.500 punëtorë të huaj vdiqën në Katar nga nisja e punës për Kupën e Botës

Bota February 23, 2021 - 11:04

Gazeta britanike, “The Guardian”, ka raportuar për shifra të tmerrshme të punëtorëve imigrantë që kanë vdekur në Katar që nga koha kur ky shtet e fitoi të drejtën për organizimin e Kupës së Botës në futboll para dhjetë vjetëve.

Sipas kësaj gazete, mbi 6.500 punëtorë imigrantë nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri-Lanka kanë vdekur në Katar që nga koha kur shteti i Gadishullit Arabik u njoftua se do ta organizojë Kupën e Botës.

Të gjeturat e hartuara nga burimet qeveritare nënkuptojnë se mesatarisht 12 punëtorë imigrantë nga këto pesë shtete aziatike kanë vdekur për çdo javë që nga dhjetori i vitit 2010, kur rrugët e Dohas ishin mbushur me njerëz të gëzuar që po e festonin fitimin e të drejtës për organizimin e botërorit.

Nga të dhënat prej Indisë, Bangladeshit, Nepalit dhe Sri-Lankës merret vesh se në periudhën nga viti 2011 deri më 2020 kanë vdekur 5.927 punëtorë imigrantë. Nga të dhënat e Ambasadës së Pakistanit në Katar kuptohet se janë shënuar edhe 824 punëtorë pakistanezë të vdekur nga viti 2010 deri në vitin 2020.

Numri i përgjithshëm i punëtorëve të vdekur është dukshëm më i lartë, sepse në këto shifra nuk janë përfshirë rastet nga disa shtete që dërgojnë shumë punëtorë në Katar, përfshirë Filipinet dhe Keninë. Këtu nuk janë përfshirë as vdekjet e punëtorëve në muajt e fundit të vitit të kaluar.

Në dhjetë vitet e fundit, Katari ka zbatuar një program të pashembullt të ndërtimit, kryesisht për t’u përgatitur për Kupën e Botës 2022. Përpos ndërtimit të shtatë stadiumeve të reja, shteti ka ndërtuar ose është në proces të përfundimit të dhjetëra projekteve tjera, përfshirë një aeroport të ri, rrugë të reja, sisteme të transportit publik, hotele dhe madje një qytet të ri, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. /gazetaexpress