Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
Navalny e apelon vendimin për paraburgim

Navalny e apelon vendimin për paraburgim

Bota January 21, 2021 - 18:37

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny, apeloi vendimin e gjykatës për zgjatjen e paraburgimit të tij, pas ndalimit më 17 janar.

Navalny u ndalua në një aeroport të Moskës, pasi u kthye nga Gjermania, ku po trajtohej për një sulm me helm.

“Avokatët kanë paraqitur kërkesën në gjykatë. Kërkojmë që të rrëzohet urdhri i gjykatës dhe të nxirret një vendim i ri, i cili do ta shfuqizojë mocionin për paraburgim nga shefi i Departamentit të Ministrisë së Brendshme në rrethin e Khimkit”, tha avokati i Navalnyt, Vadim Kobzev, raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Në seancën gjyqësore të 18 janarit, të cilën Navalny e ka cilësuar si “tallje me drejtësinë”, një gjykatës ka vendosur që ta mbajë atë në paraburgim deri më 15 shkurt.

Gjatë kësaj kohe, një gjykatë tjetër pritet të vendosë nëse do ta shndërrojë ose jo dënimin me kusht prej tre vjetësh e gjysmë - në një rast të përvetësimit të fondeve - në burgim të vërtetë.

Akuzat për përvetësim fondesh, që datojnë prej më herët, Navalny i hedh poshtë dhe thotë se janë të motivuara politikisht.

Ndalimi i Navalnyt ka shkaktuar zemërim global dhe thirje për lirimin e menjëhershëm të tij.

Ekipi i tij ka bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare më 23 janar.

Policia ruse ndaloi të enjten dy bashkëpunëtorë të Navalnyt për inkurajimin e mbështetësve të tyre që të dalin në rrugë./REL