Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
 Shkon në 43 numri i të vdekurve nga fundosja e varkës me refugjatë në Mesdhe

Shkon në 43 numri i të vdekurve nga fundosja e varkës me refugjatë në Mesdhe

Bota January 21, 2021 - 16:08

Një anije që transportonte refugjatë drejt Evropës u përmbyt në Detin Mesdhe në brigjet e Libisë, duke mbytur të paktën 43 persona që mbante në bord.

Në një deklaratë Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (ONM) tha se “mbytja tragjike e anijes” që ndodhi një ditë më parë ishte katastrofa e parë detare e vitit 2021 të disa personave që kërkonin një jetë më të mirë në Evropë.

Në vitet e fundit, BE ka bashkëpunuar me rojet bregdetare të Libisë dhe grupe të tjera vendase për të ndaluar udhëtime të tilla detare që konsiderohen si të rrezikshme.  

Aktivistët megjithatë, thonë se këto politika i lënë emigrantët në mëshirën e grupeve të armatosura ose të mbyllur në qendrat e paraburgimit ku janë pre e abuzimeve të ndryshme.

ONM tha se forcat e sigurisë bregdetare në qytetin perëndimor të Libisë, Zuwara shpëtuan 10 refugjatë nga fundosja e varkës dhe i nxorën ata në breg. 

Të mbijetuarit, të cilët vinin kryesisht nga Bregu i Fildishtë, Nigeria, Gana dhe Gambia, treguan se viktimat ishin të gjithë burra Afrika Perëndimore.

Agjencia e migracionit tha se varka u nis nga qyteti Zawiya të martën në mëngjes dhe u përmbys disa orë më vonë pasi motori i saj ndaloi së punuari në mes të deteve të trazuara.

Më shumë se 1,200 migrantë kanë vdekur në vitin 2020 në Detin Mesdhe, si pasojë e udhëtimeve detare drejt Evropës./EURONEWS