Refuzuan vaksinimin kundër COVID-19, pushohen nga puna 7 infermierë në Gjermani

Refuzuan vaksinimin kundër COVID-19, pushohen nga puna 7 infermierë në Gjermani

Bota January 21, 2021 - 11:08

Punonin në strukturën që mundësonte shërbimin mjekësor në shtëpitë e të moshuarve në Dessau, një qytet lindor i Gjermanisë.

Por kur përgjegjësit i njoftuan se duhet të bënin vaksinën kundër koronavirusit, 7 prej tyre refuzuan. Përgjigja e institucioneve ishte e menjëhershme. “Na dhanë një ultimatum tri ditor, dhe sapo skadoi afati na dërguan letrën e shkarkimit”, thonë infermierët.

Në zonën e Saksonisë-Anhalt, ku ndodhen infermierët, vaksinimi nuk është i detyrueshëm, madje ata thonë se kishin vetëm nevojë për pak kohë më shumë, për ta menduar”, dhe se mund të ndërmarrin hapa ligjore për vendimin e autoriteteve.

Por pikërisht këto autoritete duken tepër të rrepta në këtë drejtim. Përgjegjësi i tyre, Rene Willmer, është i qartë. “Të gjithë ata që punojnë si infermierë duhet të kenë mirëkuptim dhe të kuptojnë se vaksinimi është i rëndësishëm dhe duhet bërë”.

Zona e Saksonisë- Anhalt është nga më të goditurat në Gjermani, vend ku të infektuarit kanë kaluar 2 milionë personat, dhe viktimat nga fillimi i pandemisë janë më shumë se 50 mijë./A2news