Trumpi i jep lamtumirën Washingtonit, mban fjalimin e fundit

Trumpi i jep lamtumirën Washingtonit, mban fjalimin e fundit

Bota January 19, 2021 - 23:02

Në ditën e tij të fundit në detyrë, presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump mbajti një fjalim lamtumire nga Shtëpia e Bardhë.

"Ne bëmë atë që kemi ardhur këtu për të bërë dhe shumë më tepër", tha ai.

"Unë mora betejat e vështira, luftimet më të vështira, zgjedhjet më të vështira, sepse për këtë ju më zgjodhët të bëja”, tha Trumpi gjatë fjalimit të tij.

Ai paralajmëroi se "rreziku më i madh" që tani po përballet vendi është "një humbje e besimit në madhështinë tonë kombëtare", shkruan BBC, transmeton Zeri.info.

Trumpi si presidenti i 45-të i SHBA-së, kaloi nëpër veprime të ndërmarra nga administrata e tij, nga "qëndrimi ndaj Kinës si kurrë më parë" në "një seri marrëveshjesh historike të paqes në Lindjen e Mesme".

Gjatë fjalimit të tij, Trumpi shtoi se është krenar që është presidenti i parë në dekada që nuk ka filluar asnjë luftë të re.

Duke iu referuar trazirave në Kapitolin e SHBA-së në 6 Janar, ai deklaroi se "të gjithë amerikanët u tmerruan nga sulmi ndaj Kapitolit ... Nuk mund të tolerohet kurrë".

Trumpi pranoi që një administratë e re do të marrë detyrën, por tha "unë dua që ju të dini se lëvizja që kemi nisur është vetëm fillimi". /Zëri