Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
A mundet Trumpi ta falë veten?

A mundet Trumpi ta falë veten?

Bota January 17, 2021 - 13:02

Teksa po përgatitet që të përfundojë një mandat të trazuar katërvjeçar si president i Shteteve të Bashkuara dhe po përballet me gjykim të mundshëm në Senat, Donald Trump po e shqyrton mundësinë e faljes së vetes, ka thënë një burim që ka njohuri për këtë çështje. Por, janë ngritur pyetje nëse kompetencat e gjera ekzekutive të presidentit, që burojnë nga Kushtetuta amerikane, ia lejojnë atij që të ndërmarrë një vendim të tillë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë më herët ka thënë se Kushtetuta nuk lejon që një president që është ende në zyrë, të akuzohet, por një ish-president nuk gëzon mbrojtje të tillë, shkruan agjencia e lajmeve Reuters.

Këto janë problemet e mundshme kushtetuese që mund të burojnë nëse një president falë veten dhe pse një veprim i tillë nuk do ta mbronte ligjërisht Trumpin, pasi ai të përfundojë mandatin e tij presidencial.

A është kushtetuese falja e vetes?

Nuk ka ndonjë përgjigje definitive për këtë pyetje dhe Kushtetuta amerikane nuk e adreson këtë mundësi në mënyrë eksplicite. Asnjë president nuk ka tentuar që ta falë veten më parë, prandaj gjykatat nuk e kanë trajtuar këtë çështje. Më 2018, Trump kishte shkruar në Twitter se ai kishte “absolutisht të drejtë” që ta falte veten. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë nuk ka dashur që të komentojë lidhur me mundësinë që presidenti ta falë veten.

Shumë studiues thonë se falja e vetvetes do të ishte jokushtetuese sepse shkelë parimet themelore lidhur me atë se askush nuk duhet të gjykatës për çështjen e tij apo të saj.

Të tjerët argumentojnë se falja e vetvetes është kushtetuese sepse fuqia e faljes është e formuluar gjerësisht në Kushtetutës. Tekstet historike e kanë bërë të qartë se themeluesit e SHBA-së e kanë diskutuar këtë çështje, por vendosën që të mos përfshinin në Kushtetutë kufizime eksplicite të fuqisë së faljes.

Kushtetuta thotë se presidenti “duhet të ketë fuqi që të japë masa ndëshkuese dhe falje për vepra penale kundër Shteteve të Bashkuara, përveç në rastet kur nis procesi i gjykimit ndaj presidentit”, që njihet me termin “impeachment”. Fjala “falje” nënkupton fuqinë e një presidenti që është e kufizuar për të falur njerëzit e tjerë, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Misurit, Frank Bowman.

Herën e fundit, kur Departamenti i Drejtësisë u mor me këtë pyetje ishte më 1974, kur një memorandum u dërgua nga një avokat dhe më pas për këtë pyetje u dha përfundimi se ishte jokushtetuese që presidenti i atëhershëm amerikan, Richard Nixon të falte veten. Nixon dha dorëheqje po atë vit për shkak të skandalit të njohur me emrin Watergate.

“Sipas rregullit themelor, askush nuk mund të bëhet gjykatës për çështjen e tij, presidenti nuk mund ta falë veten”, kishte thënë avokati i Departamentit amerikan i Drejtësisë.

Por, në këtë dokument argumentohej se Nixon mund të largohej përkohësisht nga detyra dhe nënpresidenti i tij ta falte atë dhe më pas Nixon të kthehej në Zyrën Ovale. Megjithatë, kjo memo e vitit 1974 nuk ka asnjë autoritet ligjor.

Faljet presidenciale aplikohen vetëm për krime federale dhe jo për krime shtetërore.

Por, si do të merrej gjykata me çështjen nëse presidenti falë veten?

Sipas ligjit amerikan, gjykatat nuk lëshojnë opinione këshilluese. Që një gjykatë të marrë vendim mbi vlefshmërinë e faljes së vetvetes, Departamenti i Drejtësisë do të duhej që ta akuzonte Trumpin për ndonjë krim dhe më pas ai do të mund ta përdorte faljen presidenciale për t’u mbrojtur, thonë ekspertët ligjorë.

Falja e vetvetes vetëm mund të inkurajojë prokurorët që të nisin procese gjyqësore ndaj Trumpit, pasi një akt i tillë nga president, do të nënkuptonte se ai po fsheh diçka, thotë profesoresha e juridikut, Jessica Levinson e cila ligjëron në Fakultetin Juridik Loyola në Kaliforni.

Pse Trumpi do ta falte veten?

Ai mund të përballet me akuza për vepra kriminale për shumë çështje.

Disa ekspertë ligjorë përmendin telefonatën që Trumpi bëri më 2 janar, ku ai i bëri presion zyrtarit kryesor zgjedhor në Xhorxhia, që “t’i gjente” vota të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit ndaj Joe Bidenit. Ata thonë se kjo telefonatë mund të përbëjë shkelje të ligjit federal dhe shtetëror.

Ligji në shtetin e Xhorxhias kundër “kërkesës për të kryer mashtrime zgjedhore” thotë se është e paligjshme që një person të kërkojë qëllimshëm, të urdhërojë apo të provojë që të bindë një person të përfshihet në mashtrim zgjedhor. Ndërkaq, një ligj tjetër federal thotë se është e paligjshme që të bëhen përpjekje “për të privuar apo mashtruar” njerëzit nga “një proces zgjedhor, i drejtë dhe i paanshëm”.

Presidenti Trump ka të ngjarë që do të argumentojë se ai thjesht ka shprehur mendimin e tij personal dhe se nuk e ka urdhëruar zyrtarin zgjedhor të Xhorxhias që të ndërhynte në zgjedhje.

Disa avokatë thonë se Trumpi do të mund të përballet me ligjin për shkak të fjalimit që mbajti para mbështetësve të tij më 6 janar, pak para se protestuesit e dhunshëm të sulmonin ndërtesën e Kongresit, në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së Bidenit. Në këtë protestë të dhunshme u vranë pesë persona. Trump mund të mbrohet duke thënë se në fjalimin e tij ai thjesht ka potencuar se fjala e lirë mbrohet me Kushtetutë, thanë disa avokatë të tjerë.

Trump po ashtu mund të jetë në shënjestër të prokurorëve për shkelje të ligjeve të tjera shtetërore. Prokurori i qarkut të Manhatan, Cyrus Vance tashmë ka nisur një hetim mbi mashtrimet e mundshme me taksa të bizneseve të Trumpit, edhe pse deri më tani nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Trump e ka quajtur këtë hetim si proces të motivuar politikisht.

Precedenti i faljes së një presidenti

Ka precedentë kur një president është falur. Nixon fitoi “falje të plotë dhe të pakushtëzuar” nga pasardhësi i tij, Gerald Ford. Kjo falje presidenciale e pastroi Nixonin “nga çdo krim që ai mund të ketë kryer ndaj Shteteve të Bashkuara në kohën kur ishte president”.

Gjykata Supreme e SHBA-së asnjëherë nuk është marrë me çështjen nëse një falje e plotë është e ligjshme. Disa studiues kanë argumentuar se themeluesit e SHBA-së kanë dashur që falja presidenciale të jetë specifike dhe se ata kanë nënkuptuar se ka një kufizim për këtë çështje.

A mund të ketë falje paraprake?

Falja presidenciale nuk mund të bëhet për veprimet që mund të ndodhin në të ardhmen, por falja mund të jetë paraprake në kuptimin që mund të mbulojë veprime që ende nuk kanë rezultuar në procese ligjore.

Falja e Nixonit është një shembull për këtë dhe ka edhe shembuj të tjerë. Më 1977, presidenti Jimmy Carter paraprakisht fali mijëra persona që nuk i ishin përgjigjur thirrjes për të marrë pjesë në Luftën e Vietnamit./REL