Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
BE-ja kritikon SHBA-në për ekzekutimin e parë të një gruaje pas gati 70 viteve

BE-ja kritikon SHBA-në për ekzekutimin e parë të një gruaje pas gati 70 viteve

Bota January 13, 2021 - 18:46

Bashkimi Evropian (BE), përmes një deklarate ka reaguar pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë kryer ekzekutimin e parë të një gruaje të dënuar me vdekje në gati shtatë dekada.

Lisa Montgomery, 52-vjeçe, u ekzekutua përmes një injeksioni vdekjeprurës në shtetin e Indianas, më 13 janar.

Në deklaratë, thuhet se BE-ja kishte bërë thirrje që t’i jepet lehtësi Lisa Montgomeryt, duke marrë parasysh të drejtën ndërkombëtare dhe standardet minimale të pranuara ndërkombëtarisht të cilat, sipas BE-së, duhen respektuar në lidhje me njerëzit me çrregullime mendore, transmeton Zeri.info.

“Që nga rifillimi i dënimit federal me vdekje në korrik të vitit 2020, pas një pauze 17-vjeçare, ne kemi qenë dëshmitarë të një numri të lartë të ekzekutimeve. BE-ja qëndron fort dhe pa mëdyshje pranë viktimave të krimit dhe familjeve të tyre dhe ndjek efektivisht kriminelët në territorin e saj. Por dënimi kapital është i papajtueshëm me dinjitetin njerëzor dhe të drejtën për jetë, përbën një trajtim çnjerëzor dhe degradues dhe nuk ka ndonjë efekt parandalues të provuar. Dështimet Abortimet e drejtësisë, të pashmangshme në çdo sistem gjyqësor, janë të pakthyeshme. BE-ja i bën thirrje administratës së SHBA-së të ndryshojë vendimin e saj për të kryer ekzekutimet e mbetura të nivelit federal gjatë ditëve të fundit të administratës aktuale”, thuhet në deklaratën e BE-së,

Këto ekzekutime, sipas BE-së, janë në kundërshtim dhe pengojnë momentumin në rritje drejt heqjes së dënimit me vdekje në të gjithë botën, siç pasqyrohet nga miratimi i fundit i Rezolutës së 8-të që bën thirrje për një “Moratorium mbi përdorimin e dënimit me vdekje” në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 16 dhjetor.

“Bashkimi Evropian është fuqimisht dhe pa mëdyshje kundër dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat dhe nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të punuar drejt heqjes së tij në të gjithë botën në përputhje me Planin e ri të Veprimit të BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe Demokracinë për 2020-2024”, thuhet në fund të deklaratës së BE-së të cilën e ka përcjellë zëdhënësi i këtij organi, Peter Stano. /Zëri