Greqi, dyqanet rihapen të hënën, vaksinimi do të jetë falas dhe vullnetar

Greqi, dyqanet rihapen të hënën, vaksinimi do të jetë falas dhe vullnetar

Bota December 03, 2020 - 22:47

Greqia do të mbajë në fuqi deri më 14 dhjetor izolimin aktual të vendosur për të luftuar përhapjen e Covid-19. Përjashtim bën një lehtësim i vogël për shkak të festave të fundvitit.

Duke nisur nga e hëna, dyqanet e vogla që tregtojnë artikuj për Krishtlindje do të rihapen. Detajet për operimin e këtyre bizneseve të shitjeve me pakicë do të bëhen të ditura gjatë të premtes. Greqia raporton një situatë shqetësuese me pandeminë, pasi ditën e fundit raportoi 1800 raste të reja dhe 100 viktima.

Ndërkohë, qeveria prezantoi dhe planin e vaksinimit të qytetarëve për koronavirusin e ri. Zëdhënësi i qeverisë, Stelios Petsas, tha se “vaksinimi do të jetë vullnetar dhe falas”. Fushata pritet të nisë në fund të këtij muaji ose në janar.

Bashkimi Europian ka siguruar deri më tani më shumë se 1 miliardë doza, nga të cilat Greqia do të marrë 25 milionë vaksina./A2news