Deri në vitin 2030 më shumë se një miliard njerëz mund të jetojnë në varfëri për shkak të pandemisë

Deri në vitin 2030 më shumë se një miliard njerëz mund të jetojnë në varfëri për shkak të pandemisë

Bota December 03, 2020 - 12:48

Bota mund të arrijë atë numër të varfërish nëse shërimi nga pandemia zgjat shumë kohë, njoftoi UNDP.

Deri në vitin 2030, më shumë se një miliard njerëz mund të jetojnë në varfëri ekstreme për shkak të pasojave afatgjata të pandemisë, sipas një studimi të KB të lëshuar të enjten.

Ky numër i njerëzve të varfër mund të arrijë në botë nëse rimëkëmbja nga pandemia zgjat një kohë të gjatë dhe nëse kriza ekonomike vazhdon, e cila do të shtynte 207 milion njerëz shtesë në varfëri, njoftoi Programi i Zhvillimit i KB (UNDP), raporton Aljazeera dhe transmeton Zeri.info.

Duke u mbështetur në një skenar të bazuar në nivelet aktuale të vdekshmërisë dhe vlerësimet e fundit të rritjes të bëra nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, shkencëtarët kanë llogaritur që 44 milion njerëz të tjerë do të përfundojnë nën kufirin e varfërisë në dhjetë vitet e ardhshme.

Sidoqoftë, një rritje në numrin e të varfërve mund të shmanget, sipas UNDP.

Investimi në programe të kujdesit shoqëror, dixhitalizimi dhe ekonomia e gjelbër mund të forcojë trendin e zhvillimit para-pandemik dhe të nxjerrë 146 milion njerëz nga varfëria, kanë llogaritur ekspertët e KB.

"Pandemia COVID 19 është një pikë kthese dhe zgjedhjet që po bëhen nga udhëheqësit e vendeve mund ta çojnë botën në drejtime të ndryshme", thotë shefi i UNDP-së, Achim Steiner.

"Ne kemi mundësinë gjatë dhjetë viteve të ardhshme të investojmë në aktivitete që jo vetëm i ndihmojnë njerëzit të rikuperohen nga COVID 19, por ndryshojnë rrugën e zhvillimit të njerëzve dhe planetit drejt një të ardhme më të drejtë, më të qëndrueshme dhe të gjelbër"./Zëri