Izraeli ua transferon palestinezëve mbi 1 miliard dollarë nga fondet e mbajtura

Izraeli ua transferon palestinezëve mbi 1 miliard dollarë nga fondet e mbajtura

Bota December 02, 2020 - 11:31

Izraeli ka lëshuar më shumë se 1 miliard dollarë fonde të mbajtura të palestinezëve, tha të mërkurën një ministër i Autoritetit Palestinez.

Vendimi është marrë disa javë pas rifillimit të koordinimit midis të dyja palëve.

"Qeveria e Izraelit transferon të gjitha detyrimet financiare në llogarinë e Autoritetit Palestinez", shkroi në rrjetet sociale, ministri i Çështjeve Civile, Husein al-Sheikh, duke iu referuar mjeteve nga taksat, përfshirë taksat doganore, që shteti hebre mbledh në emër të Autoritetit Palestinez.

Në maj, palestinezët ndaluan koordinimin me Izraelin. Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, pati thënë se masa ishte një përgjigje ndaj planeve izraelite për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor.

Izraeli më vonë shpalli pezullimin e planeve të aneksimit, në këmbim të një marrëveshjeje për normalizimin e lidhjeve me Emiratet e Bashkuara Arabe, të arritur në gusht.

Pas ndalimit të bashkëpunimit me Izraelin, Autoriteti Palestinez gjithashtu ndaloi pranimin e transferimit mjeteve nga taksat – veçanërisht nga detyrimet doganore - të cilat Izraeli i mbledh në emër të tij.

Më parë gjatë javës, një zyrtar izraelit i tha AFP-së me kusht anonimiteti se "kabineti i sigurisë miratoi transferimin e parave ", pa e specifikuar shumën.

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, tha të hënën palestinezët kishin "të drejtë" për fonde, që pritet të lehtësojnë presionin mbi ekonominë palestineze, e cila gjendet në një krize të rëndë buxhetore.

Për shkak të krizës, Autoriteti Palestinez u desh të shkurtonte pagat e nëpunësve civilë, në një kohë kur ekonomia palestineze kishte filluar të luftonte me ndikimin e pandemisë së re të koronavirusit. /REL