Bideni: Bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, i sinqertë

Bideni: Bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, i sinqertë

Bota November 25, 2020 - 13:03

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka thënë se deri më tani Shtëpia e Bardhë ka qenë “e sinqertë”, në dhënien e ndihmës për tranzicion të pushtetit.

“Nuk ka qenë ziliqare deri më tani dhe nuk e pres që të jetë”, ka thënë ai në një intervistë për rrjetin NBC News.

Biden ka konfirmuar se nuk ka folur ende me presidentin aktual, Donald Trump, mirëpo ka shtuar se nuk pret që mandati i tij të ndikohet nga vonesat në nisje të tranzicionit.

“Është nisje e ngadalshme, mirëpo është nisje dhe kemi dy muaj tjetër, prandaj po ndihem mirë për mundësinë që të shpejtojmë procesin”, ka thënë ai.

Presidenti i zgjedhur amerikan ka bërë këto deklarata pasi ka bërë të ditur emrat e personave që do të mbajnë pozita kryesore në administratën e tij pasi të marrë detyrën më 20 janar.

Kë ka zgjedhur Biden?

Shumë nga zgjedhjet që ka bërë Biden janë kolegë nga administratat e ish-presidentit Barack Obama, ku presidenti, tashmë i zgjedhur, ka shërbyer si nën-president.

Teksa ka prezantuar të nominuarit e tij, Biden ka thënë se ekipi i tij “do të na bëjë krenarë që jemi amerikanë”.

Gjashtë përzgjedhjet kyçe të së martës janë:

Antony Blinken është nominuar si Sekretar Shteti – pozita më e rëndësishme në politikën e jashtme. Ai pritet të menaxhojë politikën e jashtëm të Bidenit që ka të bëjë me kthimin e lidhjeve me aleatët perëndimorë.

Ish-Sekretari i Shtetit, John Kerry do të drejtojë përpjekjet e administratës së ardhshme për të luftuar ndryshimet klimatike. Ai ka qenë nga një arkitektët e Marrëveshjes së Parisit për Klimën, nga e cila është tërhequr presidenti Trump

Avril Haines, ish zëvendës-drejtore e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), është nominuar si drejtorja e parë për Inteligjencë Kombëtare.

Alejandro Mayorkas është burri i parë latin që është nominuar për të shërbyer si Sekretar për Siguri Kombëtare.

Jake Sullivan është nominuar si Këshilltar për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka shërbyer si Këshilltar për Siguri Kombëtare i Bidenit, gjatë mandatit të dytë presidencial të Obamas.

Diplomatja Linda Thomas-Greenfield është nominuar si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara. Ajo ka shërbyer gjatë presidencës Obama, duke përfshirë pozitën si sekretare për çështjet afrikane gjatë periudhës 2013-2017.

Një zgjedhje e pritshme, por që është nuk është përmendur është ajo e pozitës së Sekretarit të Thesarit, që pritet ta zë Janet Yellen, e cila ka shërbyer si udhëheqëse e Rezervave Federale.

Presidenti aktual, Donald Trump është pajtuar për nisje të procesit të trazicionit të pushtetit ditën e hënë, pas gati tri javëve pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Megjithatë, ai refuzon që të pranojë humbjen, duke përsëritur pretendimet e paargumentauara se votimet e 3 nëntorit janë manipuluar./REL