Dhjetëra mijëra protestues kundërshtojnë ligjin e abortit në Poloni

Dhjetëra mijëra protestues kundërshtojnë ligjin e abortit në Poloni

Bota October 30, 2020 - 22:22

Dhjetëra mijëra protestues nga e gjithë Polonia protestuan në Varshavë, të premten, kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese që ndalon pothuajse plotësisht abortin.

Sipas agjencisë Reuters, protestuesit sfiduan kufizimet e rrepta të tubimeve që janë vendosur për të parandaluar përhajen e koronavirusit.

Protestuesit, marshuan nëpër rrugët qendrore të Varshavës duke mbajtur çadra të zeza, një simbol i protestave mbi të drejtat e abortit në Poloni, dhe pankarta me mbishkrimet: "Ju nuk do të duhet të ecni vetëm" dhe "Zoti është një grua ".

Grupet e ekstremit të djathtë gjithashtu u shfaqën në tubime më të vogla në Varshavë, dhe pamjet televizive treguan policinë që përpiqej t'i mbante larg protestuesve.

Policia përdori gazlotsjellës dhe arrestoi disa persona.

Gjykata ka thënë se aborti për shkak të anomalive të fetusit, që deri më tani është mundësuar, tani është jokushtetues.

Kur të nisë së zbatuari ky vendim, ndërprerja e shtatzënisë do të jetë e mundshme për rastet e incestit, dhunimit apo rrezikimit të shëndetit të nënës.
Për vendimin e gjykatës demonstruesit kanë fajësuar qeverinë nacionaliste të kryeministrit Mateusz Moraëiecki dhe Kishën Katolike, e cila ka lidhje të ngushta me partinë në pushtet Ligji dhe Drejtësia (PiS).

Mijëra protestues në qytete të ndryshme të botës janë mbledhur gjatë ditëve të fundit, në mbështetje të polakëve. Protestues në Oslo, Londër, Çikago, Glasgou, Bruksel dhe gjetkë janë mbledhur përpara ambasadave polake dhe në qendrat e qyteteve të tyre.