Evropa, sërish vatra më e madhe e COVID-19
Foto: Reuters

Evropa, sërish vatra më e madhe e COVID-19

Bota October 26, 2020 - 12:37

Evropa është shndërruar sërish në vatrën më të madhe globale të koronavirusit, ashtu si në valën e parë të përhapjes së pandemisë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi për një rekord të ri global prej mbi 465 mijë infektime të reja në 24 orët e fundit, gjysma e të cilëve në Evropë. Drejtuesit e kësaj organizate e vlerësuan si tepër kritike ritmet e shpejta, të cilat ka arritur përhapja e COVID-19 në kontinentin tonë.

Franca është epiqendra e COVID-19 ku rekordet kanë dalë jashtë kontrollit. Këtë 24 orësh u shënuan mbi 52 mijë infektime të reja, nivel më i lartë se në Indi dhe fare pak më i ulët se në Shtetet e Bashkuara, dy vendet që kryesojnë listën globale të të infektuarve dhe vdekjeve.

Ekspertët thonë se po t’i shtosh këtij numri edhe asimptomatikët, të cilët nuk kanë bërë tamponin, shifra ditore mund të arrijë deri 100 mijë.

Këtë të Hënë, në Itali hyjnë në fuqi masat e reja të ashpra ku parashikohet mbyllja e bareve e restoranteve nga ora 6 e pasdites dhe kyçja e teatrove, kinemave, pishinave, palestrave, etj. Edhe Italia shënoi një rekord të ri prej mbi 21 mijë infektimesh ditore.

Spanja e shtriu gjendjen e emergjencës në shkallë kombëtare. Shifra të larta infektimesh ka në pjesën më të madhe të kontinentit.

Ndërsa në Izrael kanë rënë në minimum infektimet e reja pas rreth një muaji karantinë kombëtare, për shkak të rekordeve ku u shënuan deri në 9 mijë infektime ditore. Ky 24 orësh shënoi mbi 500 infektime, teksa tani qeveria po planifikon të rihapë së shpejti shkollat.

Tv Klan