Vdes papritur nënkryetari i Bundestagut, ra pa ndjenja pak para intervistës

Vdes papritur nënkryetari i Bundestagut, ra pa ndjenja pak para intervistës

Bota October 26, 2020 - 11:25

Nënkryetari i Parlamentit gjerman Thomas Oppermann ka vdekur papritur pasi ra në tokë pa ndjenja pak para një transmetimi televiziv. Kolegët nga i gjithë spektri politik kanë shprehur tronditjen e tyre.

Politikani kryesor Socialdemokrat (SPD) dhe nënkryetar i Bundestagut ka vdekur në moshën 66-vjeçare, njoftuan të hënën mediat gjermane.

Oppermanni ra në tokë pa ndjenja, të dielën në mbrëmje, ndërsa do të intervistohej për ZDF. Transmetuesi publik konfirmoi vdekjen e tij të hënën, duke thënë se ai u dërgua në spital pasi u sëmurë.

Oppermann filloi karrierën e tij politike në 1980-n. Ai së pari u bë një ligjvënës në nivelin shtetëror në Saksoninë e Ulët në 1990 dhe vazhdoi të shërbejë si ministër i shkencës. Ai kaloi në skenën kombëtare në 2005-n, ku përfaqësoi zonën elektorale të Göttingen. Ndërsa mbante postin e nënkryetarit të Bundestagut që nga viti 2017.

Nga 2013-a në 2017-n ai shërbeu si drejtues i partisë parlamentare për SPD-në të qendrës së majtë në Bundestag.

‘Tronditje për të gjithë ne’

Bashkë-drejtuesi i SPD Norbert Walter-Borjans e quajti lajmin e vdekjes së Oppermann “një tronditje të fortë për të gjithë” në një postim në Twitter.

“Thomas Oppermann vdiq papritur dje”, shkroi Walter-Borjans. “Ne jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar për të afërmit e tij.”

Ministri i Punës dhe ligjvënësi tjetër i SPD Hubertus Heil mbajti zi për vdekjen “e papritur” të Oppermann.

“Lajmi për vdekjen e papritur të kolegut dhe shokut tim Thomas Opperman më mbush me trishtim të thellë”, shkroi Heil në Twitter. “Me pasion dhe intelekt, Thomas i ka bërë një shërbim të madh vendit tonë dhe demokracisë sociale. Mendimet e mia janë me familjen e tij.”

Zëvendës-kancelari dhe Ministri i Financave Olaf Scholz, i cili është kandidati i SPD për kancelar në zgjedhjet kombëtare të vitit të ardhshëm, e quajti vdekjen Oppermann një “tronditje për të gjithë”.

“Vendi po humbet një politikan të arrirë, Bundestagu një nënkryetar të shquar dhe SPD një shok të pasionuar dhe të ashpër”, shkroi Scholz në Twitter. “Ne të gjithë po humbasim një mik – dhe jemi të trishtuar.”

Kancelarja Angela Merkel, tha se ajo ishte “tronditur dhe trishtuar nga vdekja e parakohshme e Thomas Oppermann”.

“Unë e kam vlerësuar atë për shumë vite si një partner i besueshëm dhe i drejtë në koalicionin e madh”, tha ajo në një deklaratë. “Si nënkryetar i Bundestagut gjerman, ai i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm parlamentit tonë në kohë të trazuara.”/shekulli.com