Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
SHBA-ja miraton Remdesivirin për trajtimin e sëmundjes COVID-19

SHBA-ja miraton Remdesivirin për trajtimin e sëmundjes COVID-19

Bota October 23, 2020 - 08:40

Rregullatorët amerikanë miratuan ilaçin anti-viral remdesivir për të trajtuar pacientët me sëmundjen COVID-19 në spitale.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA tha se Veklury, emri i markës së ilaçit, zvogëlon kohën e shërimit mesatarisht për pesë ditë.

“Veklury është trajtimi i parë për COVID-19 që merr miratimin e Administratës së Ushqimit dhe Barnave”, tha përmes një deklarate kjo agjenci.

Në deklaratë po ashtu thuhet se ilaçi u miratua “për përdorim te të rriturit dhe pacientët pediatrikë, 12 vjeç e më të vjetër dhe me peshë së paku 40 kilogramë”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha javën e kaluar se remdesiviri ka pak ose aspak efekt në mbijetesën e pacientëve.

OBSH-ja tha se bazohet në studimet e saj, por prodhuesi i ilaçit, Gilead, i hodhi poshtë këto gjetje.

Remdesiviri është autorizuar vetëm për përdorim emergjent në SHBA që nga muaji maji.

Së voni, ilaçi i është dhënë edhe presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka dalë pozitiv me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Trump, i cili është diagnostikuar më 2 tetor, është shëruar.

Top Channel