Brexit-i pa një marrëveshje do të godiste më së shumti Gjermaninë, Holandën dhe Francën

Brexit-i pa një marrëveshje do të godiste më së shumti Gjermaninë, Holandën dhe Francën

Bota October 21, 2020 - 14:39

Në Britani, dalja pa një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në mund të bëjë që BPV të bjerë me gati pesë për qind në 2021.

Brexit-i pa një marrëveshje mund të godasë më rëndë Gjermaninë, Holandën dhe Francën, sipas një studimi nga “Euler Hermes” botuar të martën ndërsa bisedimet tregtare BE-Londër pas Brexit-it vazhdojnë të ngecin, shkruan “AlJazeera”.

Në rastin e “Brexit-it të vështirë”, d.m.th. rivendosja e tarifave midis 27 vendeve dhe Londrës më 1 janar, humbjet e eksportit mund të arrijnë në 8.2 miliardë euro në Gjermani, 4.8 miliardë në Holandë dhe 3.6 miliardë në Francë. Në rastin e “Brexit-it të butë”, rendi do të mbetej i njëjtë me shuma gati të përgjysmuara, raporton Hina.

Në Francë, sektori i transportit dhe pajisjeve do të mbante 20 për qind të barrës, pasuar nga sektori i kimikateve, makinerive dhe ushqimit, përfshirë alkoolin dhe duhanin, me 10 për qind.

Në Britani, dalja pa një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në mund të shkaktojë një rënie gati pesë për qind të BPV-së në 2021, një rënie prej 10 për qind të funtës dhe inflacionit “më të lartë se pesë për qind në të paktën gjashtë muaj”.

Londra dhe Brukseli rinisën bisedimet të martën, duke i kërkuar njëri-tjetrit të ndërmarrin një hap drejt zhbllokimit të bisedimeve tregtare pas Brexit-it.

BE-ja nuk do të ndryshojë qasjen e saj, siç kërkohet nga Londra, por mbetet e gatshme të negociojë nëse Mbretëria e Bashkuar është e gatshme për këtë, paralajmëroi Sekretari Francez i Shtetit për Çështjet Evropiane, Clement Beaune.

Kryenegociatori evropian, Michel Barnier, foli këtë pasdite me homologun britanik David Frost në përpjekje për të zhbllokuar situatën.

“Mesazhi im: ne duhet të marrim më të mirën nga kjo pak kohë që na ka mbetur. Dyert tona janë akoma të hapura”, shkroi Barnier në Twitter pas bisedës.

Zyra e Kryeministrit britanik njoftoi paralelisht se biseda ishte “konstruktive”, por se situata ishte në të njëjtin vend si një ditë më parë.

Të dy zyrtarët, megjithatë, ranë dakord të qëndrojnë në kontakt, thanë burime pranë bisedimeve.

Qysh të hënën, kur ata folën, Barnier tha se Bashkimi Evropian ishte i gatshëm të intensifikonte negociatat, “në bazë të dokumenteve ligjore”, ndërsa Londra vetëm mori shënim propozimin, duke kërkuar përsëri një “ndryshim thelbësor në qasjen e BE-së”.

“Ne nuk do të kemi një qasje të re”, tha Beaune.

Pas largimit nga BE-ja, Britania hyri në një periudhë tranzitore që e lejoi atë të tregtonte me vendet e BE-së nën të njëjtat kushte si më parë.

Periudha e tranzicionit pas Brexit-it skadon më 31 dhjetor.

Kryeministri britanik Boris Johnson tha të premten se negociatat nuk duhet të vazhdojnë nëse BE-ja nuk merr një qasje krejtësisht të ndryshme. /Zëri