Qëllohen për vdekje protestuesit në Nigeri, ushtria e quan “lajm të rremë”
Foto: Reuters

Qëllohen për vdekje protestuesit në Nigeri, ushtria e quan “lajm të rremë”

Bota October 21, 2020 - 11:14

Disa persona, që morën pjesë në një protestë kundër brutalitetit policor, raportohet të jenë qëlluar për vdekje ose plagosur në qytetin më të madh nigerian, Lagos.

Dëshmitarët e cituar nga mediat lokale thanë se deri në 12 persona janë vrarë dhe të tjerë janë plagosur pasi ushtarët shtien me armë zjarri.

“Amnesty International” tha se ka pranuar raporte të besueshme për vrasjet, raporton BBC.

Por ushtria po i mohon raportimet. Zyrtarët kanë premtuar një hetim, transmeton “Zeri.info”.

Në Lagos dhe në rajone të tjera është vendosur orë policore 24-orëshe, pa afat.

BBC-ja raporton se një grup i vogël i protestuesve e sfiduan orën policore të mërkurën, duke u mbledhur në lagjen e pasur Lekki në Lagos, ku edhe ndodhën të shtënat.

Protestat për një njësit policor tashmë të shpërbërë, Skuadra Speciale Antivjedhje (SARS) kanë vazhduar tash e dy javë.

Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, reagoi ndaj të shtënave të fundit në Lekki, duke i bërë thirrje presidentit nigerian Muhammadu Buhari dhe ushtrisë “për t’i ndalur vrasjet e protestuesve të rinj #EndSARS”.

Edhe futbollisti nigerian Odion Jude Ighalo, që luan për Manchester Unitedin, akuzoi qeverinë nigeriane për vrasjen e qytetarëve të vetë. “Më vjen turp nga kjo qeveri”, tha ai në një video të postuar në “Twitter”.

Dëshmitarët okularë folën për burra me uniforma që shtien me armë zjarri në Lekki të martën mbrëma.

Ushtarë të armatosur janë parë duke barrikaduar zonën e protestës para të shtënave, ka thënë korrespodenti i BBC-së nga Nigeria, transmeton “Zeri.info”.

Nëpër rrjete sociale pati transmetime direkte nga vendi i ngjarjes, që shfaqnin protestues duke u kujdesur për të plagosurit.

Një dëshmitar anonim i tha “BBC News” se pak para orës lokale 19:00 ushtarët “u ngritën dhe nisën të shtinin në drejtim” të protestuesve paqësorë.

“Po shtinin dhe po ecnin drejt nesh. Ishte kaos. Dikush u qëllua shumë pranë meje dhe vdiq në vend. U bë potere dhe ata vazhduan të qëllonin dhe të qëllonin mbi ne. Kjo zgjati rreth një orë e gjysmë dhe ushtarët në të vërtetë po i merrnin trupat e pajetë”.

Ai tha se ushtarët kishin ndërtuar një barrikadë dhe ambulancat s’mund të hynin në zonë.

Katër dëshmitarë i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se ushtarët kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të protestuesve. Një nga ta, Alfred Ononugbo, 55 vjeç, tha: “Nisën të qëllonin në drejtim të turmës. Po qëllonin pikërisht në turmë. Pashë plumbin teksa goditi një ose dy persona”.

Autoritetet kanë konfirmuar se disa persona janë plagosur në të shtëna. Gazeta “Premium Times” citoi dëshmitarë të kenë thënë se rreth 12 persona janë vrarë. /Zëri