Rusia hap zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake

Rusia hap zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake

Bota October 20, 2020 - 15:33

Rusia ka autorizuar Ministrinë e saj të Mbrojtjes për të hapur një zyrë në Serbi, tregon një dokument qeveritar, teksa Moska synon të zgjerojë lidhjet ushtarake me aleatin e saj tradicional ballkanik, ani pse Beogradi synon anëtarësimin në BE.

Muajin e kaluar Serbia pezulloi stërvitjet ushtarake me trupa të huaj për gjashtë muaj, duke u thirrur në presionin nga BE-ja për t’u tërhequr nga stërvitjet e përbashkëta me Rusinë dhe Bjellorusinë, raporton “Reuters”.

Urdhri i qeverisë ruse, i datës 15 tetor dhe i nënshkruar nga kryeministri Mikhail Mishustin, tha se kreu i zyrës së propozuar do të asistojë në zgjidhjen e çështjeve ushtarake dhe teknike rreth bashkëpunimit ruso-serb, transmeton “Zeri.info”.

Marrëveshja, e nënshkruar dikur nga të dyja palët, do t’i jepte zyrtarit rus në Serbi të drejtën për të vizituar divizionet serbe që përdorin armatimin dhe pajisjet ushtarake ruse, me kusht të paralajmërimit dhe pëlqimit paraprak.

Zyrtarët nga Ministria serbe e Mbrojtjes s’kanë qenë në dispozicion për koment.

Serbia, ushtria e së cilës është e bazuar në teknologji ushtarake ish-sovjetike, ka prokuruar aeroplanë luftarakë “MiG-29”, si dhe helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar nga Rusia në vitet e fundit.

Më 10 tetor, në një shfaqje të forcës së rinovuar ushtarake, ushtria e Serbisë zhvilloi një ushtrim të madh stërvitor, duke demonstruar përdorimin luftarak të armëve të prodhuara nga Rusia, duke përfshirë sistemin antiajror “Pantsir”. Ajo gjithashtu shfaqi dronë luftarakë të blerë kohët e fundit nga Kina.

Serbia po kryen një akt delikat balancues midis ambicies së saj për t’u bashkuar me BE-në dhe lidhjeve të saj historike me Rusinë dhe Kinën, të cilat mbështesin refuzimin e saj për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Rusia, ndërkohë, po përpiqet të mbajë Serbinë e krishterë ortodokse dhe sllave brenda sferës së saj të ndikimit gjeopolitik, duke hapur një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe me këtë duke dërguar një sinjal të qëllimit të Moskës. /Zëri