SHBA: Në debatin e ardhshëm presidencial do të fiken mikrofonat

SHBA: Në debatin e ardhshëm presidencial do të fiken mikrofonat

Bota October 20, 2020 - 10:41

Debati i ardhshëm presidencial në mes të presidentit amerikan, Donald Trump dhe kundërshtarit të tij demokrat, Joe Biden do të realizohet me mikrofona që do të mund të fiken, ashtu që kandidatët të flasin pa u penguar nga njëri-tjetri ka njoftuar Komisioni Presidencial për Debate më 19 tetor.

Ky Komision është duke bërë ndryshime për të shmangur ndërhyrjet që kanë dominuar gjatë debatit të parë, duke përfshirë edhe sulmet verbale dhe ofendimet.

Sugjerimi për fikje të mikrofonave ka ardhur pothuajse menjëherë pas debatit të parë, pasi Komisioni që organizon këto debate ka dhënë shenja se ndryshimet mëtojnë të rikthejnë dinjitetin në debatin e ardhshëm, që do të zhvillohet më 22 tetor.

“Komisioni shpreson që kandidatët do ta respektojnë kohën e njëri-tjetrit, gjë e cila do ta avancojë diskursin civil në të mirë të publikut”, ka thënë Komisioni përmes një deklarate.

Debati i ardhshëm do të jetë i fundit që do ta shohin votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Teksa votimet e hershme përmes postës veçse janë hapur, më shumë se 30 milionë amerikanë është raportuar të kenë votuar, gjë e cila pritet të kufizojë kapacitetin e Trumpit për të riformësuar këtë proces zgjedhor, ndërkohë që synon të tejkalojë Bidenin nëpër sondazhe.

Fikja e mikrofonave do t’i mundësojë secilit kandidat që të deklarohet për dy minuta pa u penguar në 15 minutat e parë të secilit segment të debatit. Pas kësaj kohe, të dy mikrofonat do të hapen për diskutim.

Fushata e Trumpit ka thënë se kundërshton këto ndryshime, mirëpo prapë se prapë, Trump do të marrë pjesë në debat.

“Presidenti Trump është i përkushtuar për të diskutuar me Joe Bidenin pavarësisht ndryshimeve të minutës së fundit nga një komision paragjykues dhe tentimet e tij të fundit që të ofrojë përparësi për kandidatin e tij favorit”, ka thënë Bill Stepien, menaxheri i fushatës së presidentit aktual në Shtetet e Bashkuara.

Të plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë