Zbulimi i një 14-vjeçareje mund të çojë në një kurë për COVID-19

Zbulimi i një 14-vjeçareje mund të çojë në një kurë për COVID-19

Bota October 19, 2020 - 15:08

Ndërsa shkencëtarët në të gjithë botën garojnë për të gjetur një trajtim për koronavirusin, në sy ka rënë një vajzë e re, sipas CNN.

Anika Chebrolu, një 14-vjeçare nga Frisco - Texas, sapo ka fituar “Sfidën e shkencëtarit të ri 3M 2020” dhe një çmim prej 25.000 dollarësh për një zbulim, që mund të sigurojë një terapi të mundshme për COVID-19.

Shpikja fituese e Anikës përdor metodologjinë kompjuterike për të zbuluar një molekulë kryesore, që mund të lidhet në mënyrë selektive me proteinën S të virusit SARS-CoV-2, raporton “Zeri.info”

“Dy ditët e fundit pashë që ka shumë bujë mediatike për projektin tim, pasi përfshin virusin SARS-CoV-2 dhe pasqyron shpresat tona kolektive për t'i dhënë fund kësaj pandemie pasi unë, si të gjithë të tjerët, dëshiroj që të kthehemi përsëri në jetën tonë normale së shpejti”, tha Anika për CNN dhe raporton “Zëri”.

Anika, një indoamerikane, e paraqiti projektin e saj kur ishte në klasën e 8-të, por ai nuk e kishte qëllimin fillestar për të gjetur kurën për COVID-19. Fillimisht qëllimi i saj ishte të përdorte metodën kompjuterike për të identifikuar një përbërës kryesor, që do të mundë të lidhej me një proteinë të virusit gripor. “Pasi kalova shumë kohë duke hulumtuar mbi pandeminë, viruset dhe zbulimet e ilaçeve, ishte çmenduri të mendoja që në të vërtetë po jetoja në këtë kohë”, tha Anika.

Ajo thotë se duke qenë që ashpërsia e virusit pati ndikim të madh në botë, bashkë me mentorin vendosën që t’i ndryshojë direktivat e projektit për ta sulmuar virusin SARS-CoV-2. Anika tha se inspirimin për gjetjen e kurave potenciale për viruse e gjeti pasi mësoi për pandeminë gripore të vitit 1918 dhe pasi zbuloi numrin e të vdekurve çdo vit në SHBA edhe përkundër vaksinave. “Anika ka një mendje kureshtare dhe e përdor kureshtjen për të bërë pyetje për vaksinën kundër COVID-19”, tha dr. Cindy Moss, gjyqtare në garën “3M Young Scientist Challenge”.

“Puna e saj ishte gjithëpërfshirëse dhe ekzaminoi disa baza të të dhënave. Ajo po ashtu mësoi më shumë për procesin inovator dhe është mjeshtre në komunikim. Vullneti i saj për ta shfrytëzuar kohën dhe talentin e saj për ta bërë botën një vend më të mirë na jep shpresë të gjithëve”.

Anika thotë se synimi i saj i radhës është të punojë bashkë me shkencëtarë dhe studiues që janë duke luftuar në “kontrollimin e vdekshmërisë” së pandemisë, duke i zhvilluar zbulimet e saj në një kurë të vërtetë për virusin. “Përpjekja ime për të gjetur një përbërës kryesor për të lidhur proteinën S me virusin SARS-CoV-2 këtë verë mund të duket si një pikë në oqean, por sërish ndihmon në tërë këto përpjekje. Se si do ta zhvilloj këtë molekulë tutje, me ndihmën e virologëve dhe specialistëve për zhvillimin e ilaçeve, do ta përcaktojë suksesin në këto përpjekje”, përfundoi Anika. /Zëri