Presioni ndaj Luakshenkos vazhdon, ultimatumi i opozitës afrohet

Presioni ndaj Luakshenkos vazhdon, ultimatumi i opozitës afrohet

Bota October 19, 2020 - 09:18

Dhjetëra mijëra njerëz marshuan në Minsk dhe qytete të tjera të Bjellorusisë, duke kërkuar dorëheqjen e udhëheqësit autoritar, Alyaksandr Lukashenka, pavarësisht kërcënimit të Ministrisë së Brendshme se do të përdorë forcën vdekjeprurëse.

Autoritetet vendosën kamionë ushtarakë dhe topa uji në Minsk, por u përmbajtën në masë të madhe nga përdorimi i tyre në protestën e së dielës mbrëma.

Grupi i të drejtave të njeriut Vyasna tha se së paku 200 njerëz janë arrestuar në Minsk dhe rreth 30 të tjerë në qytetet rajonale.

Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme, Volha Chemodanova, i tha AFP-së se pjesëtarët e zbatimit të ligjit qëlluan me plumba gome, si paralajmërim për protestuesit që hodhën gurë ndaj policisë.

Disa ditë para tubimit, zëvendësministri i Brendshëm i Bjellorusisë, Gennady Kazakevich, kërcënoi me përdorimin e armëve vdekjeprurëse kundër protestuesve, nëse, siç tha, është e nevojshme.

Kazakevich tha se protestuesit janë bërë "jashtëzakonisht radikalë".

Bjellorusia është përfshirë nga protestat qëkur Lukashenka - në pushtet që nga viti 1994 - është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, me gjithë akuzat për manipulim të gjerë të votave.

Mbi 12,000 bjellorusë janë arrestuar dhe qindra janë torturuar gjatë protestave.

Të dielën, protestuesit në Minsk marshuan paqësisht drejt një rruge ku janë të vendosura uzinat dhe fabrikat.

“Shikoni nga dritarja, ndaloni së shikuari televizionin”, brohoritën protestuesit, duke iu referuar medias së kontrolluar nga shteti, që minimizon madhësinë dhe natyrën paqësore të protestave.

Protestuesit gjithashtu bënë thirrje për arrestimin e Lukashenkës, ndërsa brohoritën: "Greva" dhe "Punëtorët janë me njerëzit".

Lukashenka e ka humbur mbështetjen e shumë punëtorëve të shtetit, të konsideruar prej kohësh bazë e tij, pasi ekonomia është dobësuar ndjeshëm, viteve të fundit.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Svyatlana Tsikhanouskaya, dhe mbështetësit e saj e kanë rritur presionin e tyre, duke caktuar 25 tetorin si datë për Lukashenkën që të tërhiqet ose, në të kundërtën, do të përballet me grevë mbarëkombëtare.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Tsikhanouskaya, e cila është detyruar të largohet në Lituani pas zgjedhjeve, tha se vendimi për të shpallur të ashtuquajturin “ultimatum i popullit” është marrë nga grupet opozitare, përfshirë ekipin e saj, Këshillin Koordinues të opozitës, partitë politike opozitare, grupet e protestuesve, përfaqësuesit e punëtorëve dhe qytetarët bjellorusë, që janë rrahur dhe torturuar nga policia në muajt e fundit.

"Ultimatumi u shty përpara nga njerëzit, unë vetëm e bëra publik atë", tha Tsikhanouskaya, e cila mund të përballet me deri në pesë vjet burgim në Bjellorusi, nëse arrestohet dhe shpallet fajtore.

Tsikhanouskaya shtoi se edhe "shumë" oficerë të zbatimit të ligjit janë duke kërkuar ndihmë nga grupet e opozitës, për t’i nxjerrë familjet e tyre nga Bjellorusia, në mënyrë që të jenë në gjendje të refuzojnë për të marrë pjesë në rrahjen dhe shpërndarjen e dhunshme të protestuesve.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk i kanë njohur rezultatet e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi dhe kanë bërë thirrje për largimin e Lukashenkës.