Infektuar: 17139
Shëruar: 14787
Vdekur: 657
Gati një milion viktima nga COVID-19 në botë, Madridi izolohet pjesërisht

Gati një milion viktima nga COVID-19 në botë, Madridi izolohet pjesërisht

Bota September 28, 2020 - 14:13

Gati 10 muaj pasi raste të një pneumonie misterioze virale nisën të raportoheshin në Wuhan të Kinës, numri i viktimave të koronavirusit në të gjithë botën, i afrohet 1 milionëshit. Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India përbëjnë gati gjysmën e totalit të vdekjeve.

Gjatë ditëve të shkuara, OBSH paralajmëroi se pa një veprim kolektiv në nivel global, ka shumë gjasë që bilanci të arrijë në 2 milionë të vdekur. Shtetet e Bashkuara regjistruan mbi 32 mijë raste të reja në 24 orët e fundit, për një total prej mbi 7 milionë të prekurish. U shënuan, gjithashtu, 263 humbje jetësh, një rënie e konsiderueshme krahasuar me disa muaj më parë.

India, ndërkaq, tejkaloi 6 milionë rastet, me mbi 82 mijë infektime të raportuara vetëm në një ditë. Infektimet vijojnë të rriten rreth Europës, e cila pas pauzës në stinën e verës po i rikthehet situatës së disa muajve më parë.

Spanja po përballet më një shpërthim të ri, dhe numëron në total më shumë se 700 mijë raste. Më shumë se 1/3 e personave të infektuar janë në kryeqytetin Madrid. Autoritetet rajonale atje, kanë vendosur kufizime të reja strikte në më shumë se 8 zona, ku u prekën mbi 1 milion njerëz.

Nga e hëna, qytetarët nuk do të jenë në gjendje të largohen nga zona e tyre, përveçse për punë apo shkollë, parqet publike do të mbyllen dhe dyqanet do të jenë të hapura në orë të caktuara. Ndërsa qytetarët protestojnë kundër kufizimeve dhe kërkojnë një qasje të re ndaj krizës,  qeveria spanjolle është e vendosur të mos ndalet me kaq dhe paralajmëron masa të tjera më të rrepta.

Rritje të rasteve ka edhe në Gjermani, ku të hënën u shënuan gati 1200 infektime të reja. Shumë fajësojnë pushuesit e kthyer nga shtetet e goditura më rëndë. Rusia rezulton si vendi më i prekur në Europë, me mbi 1.1 milionë raste të regjistruara. Të hënën u raportuan 8135 raste, më shumë se sa një ditë më herët. Moska ka regjistruar vetëm 20 mijë vdekje, por kritikët thonë se qeveria po i fsheh shifrat reale.