BE-ja refuzon ta njohë Lukashenkon si president të Bjellorusisë

BE-ja refuzon ta njohë Lukashenkon si president të Bjellorusisë

Bota September 24, 2020 - 10:23

Bashkimi Evropian refuzon ta njohë Alexander Lukashenkon si president të Bjellorusisë, tha të enjten shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“BE-ja nuk i njeh rezultatet e falsifikuara [të zgjedhjeve në Bjellorusi]. Duke u bazuar në këtë, i ashtuquajturi inaugurim i 23 qershorit dhe mandati i ri, i pretenduar nga Alexander Lukashenko, nuk kanë asnjë legjitimitet demokratik”, tha përmes një deklarate Borrelli.

"Ky ‘inaugurim’ bie ndesh me vullnetin e pjesës më të madhe të popullsisë bjelloruse”, shtoi ai.

Zgjedhjet në Bjellorusi janë mbajtur më 9 gusht, por opozita dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë thënë se votimet janë manipuluar në favor të Lukashenkos.

Që atëherë mijëra bjellorusë, përkundër shtypjeve nga policia, protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e Lukashenkos.

Të mërkurën, në një ceremoni të paparalajmëruar, Lukashenko bëri betimin për mandatin e gjashtë presidencial.

Kjo shkaktoi protesta masive dhe bllokim të rrugëve në Bjellorusi.

Policia u përgjigj me topa uji dhe rrahje me shkopinj.

Edhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë.