Ish-modelja akuzon Donald Trumpin për sulm seksual

Ish-modelja akuzon Donald Trumpin për sulm seksual

Bota September 17, 2020 - 18:36

Amy Dorris pretendon se ishte abuzuar seksualisht nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në vitin 1997.

Sipas “The Guardian”, incidenti i pretenduar ndodhi gjatë “US Open” më 1997, dhe ish-modelja pretendon se Trumpi e preku dhe e puthi atë. Ajo deklaroi se ndihej keq për shkak të kësaj dhe se mendonte se ishte abuzuar.

Incidenti dyshohet se ndodhi para një tualeti në shtëpizën VIP të Trumpit në New York City më 5 shtator 1997. Dorris ishte 24-vjeçe në atë kohë dhe pretendon se Trumpi e mbajti atë fort në mënyrë që ajo të mos mund të shpëtonte, transmeton “AbcNews”.

“Ai po më puthte dhe unë po e shtyja larg. Ai po më mbante shtrënguar dhe më prekte vithet, gjoksin, shpinën… Nuk mund të lirohesha. Mendoj se i lëndova gjuhën me dhëmbë ndërsa përpiqesha të lirohesha”, u shpreh Dorris.

“The Guardian” shkruan se kjo e fundit siguroi prova të një takimi me Trumpin, përfshirë një biletë për “US Open” dhe fotot e përbashkëta me Trumpin, i cili ishte 51-vjeç në atë kohë dhe i martuar me gruan e tij të dytë, Marla Maples.

Sot, Dorris është 48-vjeçe dhe është nënë e dy vajzave. Ajo po mendonte të fliste në vitin 2016 për një incident kur disa gra të tjera e bënë këtë duke akuzuar kandidatin republikan të atëhershëm për president.

Sidoqoftë, ajo ndryshoi mendim, duke menduar se do të dëmtonte familjen e saj.