Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
Pandemia kthen vaksinimin 25 vjet prapa

Pandemia kthen vaksinimin 25 vjet prapa

Bota September 16, 2020 - 13:43

Efektet përcjellëse të pandemisë së koronavirusit kanë ndaluar dhe kthyer prapa progresin e bërë shëndetësor në gjithë botën, duke e kthyer prap për 25 vjet dhe duke ekspozuar miliona njerëz para sëmundjeve vdekjeprurëse dhe varfërisë, theksohet në një raport të fondacionit Bill & Melinda Gates.

Efekti ka qenë edhe më i rëndë në shumë vende ku qeveritë refuzojnë t’i respektojnë të drejtat themelore të njeriut, thuhet në një deklaratë nga një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Për shkak të COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, varfëria ekstreme është rritur për 7 për qind si dhe vaksinimi i zakonshëm – si një matje se si funksionon sistemi shëndetësor – ka rënë në nivele të ulëta si ato të viteve t 90-ta, thotë raporti i Fondacionit Gates.

“Është një kthim i madh prapa”, tha më 14 shtator Bill Gates, bashkëthemelues i fondacionit si dhe filantropi kryesor për zhvillimin e shëndetit global.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se vendet që nuk respektojnë të drejtat e njeriut kanë pasur shumë ngecje gjatë pandemisë së koronavirusit.

Duke folur në ditën e parë të konferencës vjetore për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë më 14 shtator, Bachelet tha se respektimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për tejkalim të krizës.

“Sëmundja COVID-19, që përbën krizë shëndetësore globale, është ndeshur me shumë kriza tjera më të ngadalshme, politike, sociale dhe ekonomike në botë”, tha Bachelet në fjalën e saj hyrëse në konferencë. “Këto thyerje të shumëfishta që na kanë bërë më të cenueshëm ndaj këtij virusi dhe që krijojnë dëme, vijnë kryesisht nga procese politike që përjashtojnë zërat e njerëzve dhe krijojnë boshllëqe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.

Raporti i Fondacionit Gates, që ndjek progresin e bërë nga një mekanizëm i Kombeve të Bashkuara në Synimet për Zhvillim të Qëndrueshëm për uljen e varfërisë dhe përmirësimin e shëndetit, thotë se gjatë vitit të kaluar është shënuar regres në pothuajse të gjitha pikat.

Krahas rënies së imunizimit, që raporti e përshkruan si “kthimi i botës prap për 25 vjet brenda 25 javëve”, rritja e nivelit të varfërisë dhe dëmi ekonomik nga pandemia, është duke rritur pabarazinë.

Lajmi i plotë në RadioEvropaeLirë