Infektuar: 14939
Shëruar: 12325
Vdekur: 611
Trumpi është “i vrazhdë dhe arrogant”, thotë deputeti që e nominoi atë për Nobel

Trumpi është “i vrazhdë dhe arrogant”, thotë deputeti që e nominoi atë për Nobel

Bota September 15, 2020 - 17:14

Deputeti norvegjez i cili javën e kaluar e nominoi Donald Trumpin për Çmimin Nobel të Paqes 2021 tha të martën se presidenti amerikan mund të shfaqet si “i vrazhdë dhe arrogant”, por insistoi se është një kandidat “i denjë”.

Christian Tybring-Gjedde, deputet i parlamentit norvegjez nga partia populiste anti-imigrim, habiti botën më 10 shtator kur njoftoi se e ka nominuar Trumpin për çmimin prestigjioz.

Ai për AFP-në kishte cituar marrëveshjen “unike dhe historike” të cilën Trumpi ndihmoi të realizohej për normalizim të raporteve mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, transmeton Zeri.info.

Komiteti norvegjez i Nobelit mirëpret të gjithë emrat e paraqitur që janë në qindra çdo vit, përderisa ata dërgohen deri më 31 janar për vitin në fjalë dhe paraqiten nga persona adekuatë për nominim, që do të thotë deputetë të parlamentit dhe anëtarë qeveritarë nga mbarë bota, ish-laureatë dhe disa profesorë universitarë.

Iniciativa nga Tybring-Gjedde, i cili në Norvegji njihet si person kontrovers, pushtoi mediat në mbarë botën, më pak se dy muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane më 3 nëntor.

Trumpi, që po garon për një mandat të dytë, iu gëzua nominimit dhe postoi shumë cicërima në Twitter për ta festuar këtë.

Të martën, Tybring-Gjedde foli më gjerësisht për të përditshmen norvegjeze “Aftenposten” rreth asaj se pse vendosi ta nominonte për herë të dytë Trumpin, pas nominimit të parë më 2018.

"Ka pak dyshim se Trumpi shpesh paraqitet si vrazhdë dhe arrogant”, shkroi ai.

"Nominimi im është i bazuar në rezultatet e arritura në emër të paqes botërore, pajtimit dhe tërheqjes së trupave ushtarake... Është e mundshme që sjellja jodiplomatike e Donald Trumpit t’i bëjë bisedat e tij të duken më shumë sesa vetëm fjalë”, sqaroi ai.

Sipas Tybring-Gjedde, miliarderi 74-vjeç i plotëson kriteret e përcaktuara nga krijuesi i çmimit, Alfred Nobel, më shumë sesa laureatët e kaluar.

"Në këtë kontekst, nuk ka rëndësi se a e pëlqeni personalitetin e Trumpit apo jo. Donald Trumpi është... një pranues i denjë i Çmimit Nobel për Paqe”, përfundoi ai

Siç e do tradita, Instituti Nobel nuk pranoi të komentojë për nominimin.

"Është me rëndësi t’i tregohet botës se të nominohesh nuk thotë asgjë për atë se si Komiteti norvegjez i Nobelit e sheh një nominim”, tha për AFP-në drejtori i Institutit Nobel, Olav Njolstad.

“Meqë shumë njerëz janë të pranueshëm të nominojnë kandidatë, është e qartë se spektri i individëve dhe organizatave të nominuara është shumë i gjerë”, shtoi ai.

Edhe deputeti suedez, Magnus Jacobsson, e ka nominuar Trumpin për çmimin Nobel 2021 për përpjekjet e tij në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

Çmimet Nobel për Paqe 2020 do të bëhen publike më 9 tetor. /Zëri