Trumpi nxirret papritmas nga konferenca, pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë

Trumpi nxirret papritmas nga konferenca, pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë

Bota August 11, 2020 - 09:24

Presidenti amerikan Donald Trump u shoqërua jashtë sallës, ku po mbante konferencë për media, pasi pranë Shtëpisë së Bardhë ishin dëgjuar të shtëna.

Ai u largua i shoqëruar nga një agjent i Shërbimit Sekret.

Agjenti doli në skenë, ndërsa presidenti Trump po fliste dhe i pëshpëriti në vesh.

Trumpi u dëgjua të thoshte "Oh!" dhe "Çfarë po ndodh?". Shtëpia e Bardhë u vendos në izolim gjatë incidentit të së hënës.

Presidenti u kthye nëntë minuta më vonë për të thënë se situata ishte nën kontroll dhe një njeri ishte qëlluar.

Presidenti Trump u tha gazetarëve se ai besonte se Shërbimi Sekret i SHBA-së kishte qëlluar një të dyshuar, i cili ishte i armatosur.

Shërbimi Sekret amerikan konfirmoi incidentin.

"Një burrë u qëllua nga një oficer i Shërbimit Sekret më 10 gusht jashtë rrethojave të Shtëpisë së Bardhë, pasi ai iu afrua oficerit dhe i tha që kishte një armë", tha Shërbimi Sekret.

Burri, i identifikuar vetëm si një 51-vjeçar, u godit në kraharor, tha Shërbimi Sekret në një deklaratë të postuar në “Twitter”. I dyshuari dhe oficeri u transportuan në spital.

Që nga protestat në fund të majit dhe qershorit masat e sigurisë janë shtuar rreth Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti, i cili po kërkon rizgjedhjen më 3 nëntor, tha se të shtënat "nuk mund të kishin asnjë lidhje me të".

Ai gjithashtu vlerësoi mbrojtjen e ofruar nga Shërbimi Sekret.

"Ata janë më të mirët nga më të mirët. Ata janë shumë të trajnuar", tha ai./REL