3-vjeçari britanik bëhet personi më i ri që ngjitet në mbi 3 mijë metra lartësi

3-vjeçari britanik bëhet personi më i ri që ngjitet në mbi 3 mijë metra lartësi

Bota August 06, 2020 - 22:57

Jackson Houlding, djali i alpinistit Leo Houlding, e kompletoi rrugëtimin me prindërit dhe motrën e tij Freya, shkruan “Sky News”.

Jackson Houlding, tre vjeç dhe motra e tij shtatëvjeçare Freya, arritën në majën e malit Piz Badile, mbi 3 mijë metra lartësi, i cili ndodhet në kufirin e Zvicrës dhe Italisë, të udhëhequr nga babai i tyre Leo dhe nëna Jess.

Të dy fëmijët bënë histori, pasi Freya u bë personi më i ri që u ngjit në mal pa u mbështetur, ndërsa Jacksoni është më i riu që arriti majën. Familja britanike filloi ngjitjen e tyre më 25 korrik, përcjell “Zëri”.

Leo, i cili është një alpinist profesional, tha: “Vajza ime u ngjit gjatë gjithë rrugës vetë, duke përfshirë të gjithë ecjen dhe gjithçka tjetër, ishte shumë mbresëlënëse. Ajo mbushi shtatë vjeç javën e kaluar”.

“Gruaja ime Jess mbarti Jacksonin, i cili peshon rreth 15 kg, në shpinë dhe unë mbaja të gjitha pajisjet e kampeve dhe ushqimin. Ne kemi bërë mjaft gjëra në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë në vitet e kaluara, por çdo verë fëmijët janë më të mëdhenj dhe më të aftë se një vit më parë”, u shpreh ai, transmeton “Zeri.info”.

Pasi familja mbaroi ngjitjen, Leo dhe Jess shpërblyen fëmijët e tyre me ëmbëlsira. Ngjitja tjetër e familjes do të jetë një udhëtim shumëditor nëpër malet më të larta të Malit të Zi. /Zëri