Mbesa e Donald Trumpit thotë se presidenti është i rrezikshëm, kërkon dorëheqjen e tij
Foto: The Guardian

Mbesa e Donald Trumpit thotë se presidenti është i rrezikshëm, kërkon dorëheqjen e tij

Bota July 15, 2020 - 15:43

Mbesa e Donald Trumpit, Mary Trump, i ka bërë thirrje presidentit të mërkurën që të dorëhiqet dhe tha se xhaxhai i saj është i rrezikshëm për Amerikën.

Mary Trump, libri i së cilës për familjen Trump u botua të martën, por të cilën media si “Guardian” dhe të tjera e posedonin nga java e kaluar, i tha mediumit “ABC” se SHBA-ja është “në greminë” me ardhjen e zgjedhjeve të nëntorit.

“Ai është krejtësisht i paaftë për të drejtuar këtë vend dhe është e rrezikshme t’ia lejojmë atij këtë”, tha Mary Trump të mërkurën në mëngjes në “ABC”, në intervistën e saj të parë që kur një gjykatë të hënën ia hoqi ndalesën ndaj saj të imponuar nga vëllai i Donald Trumpit, Robert, në tentim që ta parandalojë atë të flasë, raporton “The Guardian”.

Edhe tentimi i familjes për të bllokuar librin e saj dështoi. Mary Trump është e bija e vëllait të ndjerë të Donald Trumpit, Fred Jr., transmeton “Zeri.info”.

Ajo u pyet se nëse do të ishte në Zyrën Ovale tani çfarë do t’i thoshte presidentit.

“Dorëhiqu”, tha ajo.

E pyetur se përse mendon që presidenti është i paaftë të qëndrojë në zyrë, ajo tha: “Duke u bazuar në çfarë kam parë gjithë jetën time si e rritur, ky vend është në greminë dhe kemi një vendim për të marrë se kush duam të jemi dhe ku duam të shkojmë si shtet. Për mua është e vështirë të procesoj se sa shumë gjëra të këqija po ndodhin njëkohësisht në baza ditore” nga Shtëpia e Bardhë.

Libri thotë se karakteri i jashtëzakonshëm i Donald Trumpit dhe sjellja e egër “kërcënon shëndetin botëror, sigurinë ekonomike dhe shoqërinë” dhe janë formësuar nga babai i tij “sociopat shumëfunksional” gjatë fëmijërisë.

Mary Trump e ka përshkruar gjyshin e saj, Fred Trump, babanë e Donaldit, si një sociopat që formësoi mostrën emocionale të atyre përreth tij.

“Nuk mund ta lejoj ta shkatërrojë vendin tim. Ka shumë paralele në mes të rrethanave midis të cilave familja ime ka operuar dhe rrethanave në të cilat po operon vendi aktualisht, duke u përqendruar në gjëra të gabuara, duke ngritur njerëz të gabuar”, thotë ajo.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar librin e Maryt si gënjeshtër.

Mary Trump ka insistuar se deklarata e saj se Donald Trumpi ka paguar dikë që të hyjë në provimet e shkollës së mesme për t’u kualifikuar në shkollën prestigjioze të biznesit “Wharton” në Universitetin e Pensilvanisë është e vërtetë.