Spanja e Japonia deri më 2100-n do të kenë përgjysmim të popullsisë

Spanja e Japonia deri më 2100-n do të kenë përgjysmim të popullsisë

Bota July 15, 2020 - 15:10

Bota nuk është e përgatitur për goditjen globale te fëmijët që lindin, e cila pritet të ketë një ndikim “tronditës” në shoqëri, thonë studiuesit.

Rënia e niveleve të pjellorisë do të thotë që pothuajse çdo vend i botës, deri në fund të shekullit, mund të ketë tkurrje të popullsisë, raporton BBC-ja.

23 kombe, duke përfshirë Spanjën dhe Japoninë, pritet të kenë përgjysmim të popullsisë deri në vitin 2100, transmeton “Zeri.info”.

Vendet gjithashtu do të plaken në mënyrë dramatike, me po aq njerëz që mbushin 80 vjeç sa të tjerë që do të lindin.

Çfarë po ndodh?

Shkalla e pjellorisë, numri mesatar i fëmijëve që një grua lind, po bie.

Nëse numri bie nën përafërsisht 2.1, atëherë madhësia e popullsisë fillon të bjerë.

Në vitin 1950 gratë kishin një mesatare prej 4.7 fëmijësh në jetën e tyre.

Studiuesit e Institutit të Universitetit të Washingtonit për Statistikat dhe Vlerësimin e Shëndetit treguan se shkalla globale e pjellorisë është pothuajse përgjysmuar në 2.4 në vitin 2017 dhe studimi i tyre, i botuar në Lancet, parasheh se do të bjerë nën 1.7 deri në vitin 2100.

Si rezultat, studiuesit presin që numri i popullatës në planet të arrijë në 9.7 miliardë banorë rreth vitit 2064, para se të bjerë në 8.8 miliardë deri në fund të shekullit.

“Kjo është një gjë mjaft e madhe; shumica e botës po kalon në rënie natyrore të popullsisë”, i tha BBC-së studiuesi, profesori Christopher Murray.

“Unë mendoj se është tepër e vështirë ta mendosh këtë dhe të kuptosh se sa e madhe është kjo gjë; është e jashtëzakonshme, do të na duhet t’i riorganizojmë shoqëritë”.

Përse po bie shkalla e pjellorisë?

Nuk ka të bëjë asgjë me spermën ose me gjërat e zakonshme që ju bien ndër mend kur flasim për pjellorinë. Ka të bëjë me atë që vazhdimisht e më shumë gra po orientohen nga edukimi dhe puna, si dhe nga qasja më e madhe ndaj kontraceptivëve, që çon në faktin se gratë po zgjedhin të kenë më pak fëmijë, transmeton “Zeri.info”.

Në shumë mënyra rënia e pjellorisë është tregim suksesi.

Cilat vende do të preken më së shumti?

Popullsia e Japonisë parashikohet të bjerë nga piku prej 128 milionë banorëve më 2017-n në më pak se 53 milionë deri në fund të shekullit.

Edhe Italia pritet të jetë dëshmitare e një rënieje po aq dramatike të popullsisë, nga 61 milionë në 28 milionë në të njëjtën periudhë kohore.

Japonia dhe Italia, dy nga 23 vendet ku përfshihen edhe Spanja, Portugalia, Tajlanda dhe Koreja e Jugut, pritet të kenë përgjysmim të popullsisë së tyre.

“Kjo është tronditëse”, thotë Christopher Murray.

Kina, aktualisht kombi më i populluar në botë, pritet të arrijë pikun në 1.4 miliard banorë për katër vjet përpara se të përgjysmohet në 732 milionë deri në vitin 2100. India do të zërë vendin e saj, transmeton “Zeri.info”.

Mbretëria e Bashkuar parashikohet të arrijë pikun në 75 milionë banorë në vitin 2063 dhe të bjerë në 71 milionë deri në vitin 2100.

Megjithatë, kjo do të jetë një çështje vërtet globale, me 183 nga 195 vende që do të kenë shkallë të pjellorisë më të ulët se shkalla e riprodhimit.

Pse ky konsiderohet problem?

Ju mund të mendoni se kjo është gjë e shkëlqyeshme për mjedisin. Një popullsi më e vogël do të zvogëlonte emetimet e karbonit, si dhe shpyllëzimin për toka bujqësore.

“Kjo do të ishte e vërtetë po të mos ishte struktura e përmbysjes së moshës (më shumë të moshuar se të rinj) dhe të gjitha pasojat e njëtrajtshme negative të një strukture të përmbysur të moshës”, thotë Murray.

Studimi parasheh që numri i personave nën pesë vjeç do të bjerë nga 681 milionë sa ishin në 2017-n, në 401 milionë në 2100-n.

Ndërkaq, numri i personave mbi 80 vjeç do të rritet nga 141 milionë sa ishte në 2017-n, në 866 milionë në 2100-n.

Prof Murray shton: “Do të krijojë një ndryshim të madh shoqëror. Më shqetëson sepse kam një vajzë tetëvjeçare dhe pyes veten se si do të jetë bota”.

Kush paguan taksat në një botë më të moshuar? Kush paguan për kujdesin shëndetësor për të moshuarit? Kush kujdeset për të moshuarit? A do të ketë ende mundësi që njerëzit të dalin në pension?, transmeton “Zeri.info”.

“Na duhet një aterrim i butë”, thotë Murray.

Si të luftohet shkalla e rënies së pjellorisë?

Hulumtuesit paralajmërojnë hapa kundër zhbërjes së progresit të edukimit të grave dhe qasjes në kontraceptivë.

Profesori Stein Emil Vollset thotë: “Reagimi ndaj rënies - tkurrjes së popullsisë me gjasë do të bëhet një brengë madhore në shumë vende, por nuk duhet të komprometojë përpjekjet për të përmirësuar shëndetin riprodhues të grave ose përparimin në të drejtat e grave”.