SHBA përsëri me rekord infektimesh ditore

SHBA përsëri me rekord infektimesh ditore

Bota July 12, 2020 - 19:01

Shtetet e Bashkuara shënuan një rekord të ri ditor infektimesh. 24 orët e fundit shënuan 66 mijë të infektuar të tjerë që e çojnë në mbi 3.3 milionë numrin e të prekurve në gjithë vendin, që prej nisjes së pandemisë.

Zonat me nivelin më të lartë të infektimeve janë shtetet federale jugore, si Teksasi, Luiziana e Florida. Për të parën herë, presidenti amerikan Donald Trump u shfaq me maskë, gjatë një vizite në një spital në Uashington. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shprehu opinionin e tij të ndryshuar se ishte diçka e mrekullueshme të mbaje maskë.

Në Brazil, vendin e dytë në botë për nga numri i të prekurve, autoritetet shprehin shqetësimin për shtimin e rasteve të abuzimeve në rrjetet sociale me kura të rreme kundër COVID-19ës, që rrezikojnë shëndetin e pacientëve. Me ritme të shpejta po shtohen edhe të prekurit në Indi, që tashmë është konsoliduar në vendin e tretë në renditjen botërore me mbi 800 mijë të prekur.

Në të gjithë globin, të prekurit numërohen mbi 12.8 milionë, mes të cilëve afro 569 mijë kanë humbur jetën.

Tv Klan