Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
 Sërish protesta të dhunshme në Beograd

Sërish protesta të dhunshme në Beograd

Bota July 09, 2020 - 12:42

Dhuna në rrugët e Beogradit eskaloi pasi protestuesit sulmuan policinë dhe më pas u nda në grupe të vogla. Për katër orësh sërish u zhvillua një luftë brutale edhe më e ashpër se sa në natën e parë.

Protestuesit kërkuan lirimin e të burgosurve. Policia serbe ka bërë të ditur se janë lënduar rëndë dhjetë policë, njërit prej të cilëve demonstruesit ia kanë thyer të dyja këmbët.

“Përgjigje tjetër nuk kemi pasi duhet të shpëtonim kolegët të cilët sulmoheshin me gurë nga 2-3 kilogramë të rëndë”, tha ministri Stefanovic.

Protestat janë shtrirë edhe në disa qytete të tjera të Serbisë dhe raportohet për të lënduar në të gjitha vendet, por nuk dihet numri i protestuesve të plagosur. Presidenti, Aleksandar Vuçiç, gjatë udhëtimit në Paris ka çuar një video porosi.

“I lus njerëzit tanë në Beograd dhe Novi Sad dhe në qytetet tjera të mos u kundërvihen këtyre dhunuesve. Këtë do ta bëjmë si shtet dhe do të fitojmë. Dorëzimi nuk ka qenë kurrë opsion dhe unë tani po fluturoj për në Paris që të luftoj për Serbinë”.

Këto protesta ende nuk kanë një organizator të njohur dhe gjatë tyre janë sulmuar fizikisht edhe liderët e opozitës deri në përgjakje. Autoritetet po hetojnë për përfshirje të faktorit të jashtëm.

Tv Klan