Policia holandeze zbulon vendin sekret të torturave në kontejnerë transporti

Policia holandeze zbulon vendin sekret të torturave në kontejnerë transporti

Bota July 08, 2020 - 14:26

Autoritetet në Holandë kanë zbuluar një vend që duket se është përdorur për tortura, të fshehur brenda kontejnerëve të transportit, të cilët ishin të veshur me materiale për mbrojtje akustike dhe i mbushur me pajisje që duket se janë të torturës, tha Prokuroria Kombëtare e vendit.

Oficerët bastisën vendin në Wouwse Plantage në kufirin Holandë-Belgjikë më 22 qershor, duke arrestuar gjashtë burra të dyshuar për rrëmbim dhe pengmarrje.

Ata gjetën gjashtë kontejnerë transporti, të cilët ishin konvertuar në ato që besohet të jenë “qeli të burgut”, si dhe një sasi armësh, përfshirë gërshërë të prerjes.

“Në secilën qeli, prangat ishin të ngjitura në tavan dhe në dysheme, në mënyrë që të mund të lidhnin dikë në këmbë dhe me krahë të ngritur”, thuhet në deklaratë.

“Dhomat ishin të veshura me panele izoluese të zhurmës dhe izolues të nxehtësisë”.

Njëra prej njësive kishte një karrige dentare, me rripa për këmbë dhe krahë. “Kontejneri ku gjendej karrigia e dentistit përmbante çanta me objekte që supozohet se ishin për të torturuar ose të paktën të bënin presion ndaj viktimave”, thuhet në deklaratën e policisë.

“Ndër të tjera, policia gjeti gërshërë të mëdha krasitjeje, një sharrë degësh, pinca, shumë pranga, shirita dhe qese të zeza pambuku për t’ua vendosur në kokë. Gjatë një kontrolli në një shtëpi në Rotterdam, u gjetën edhe 24 kilogramë drogë MDMA”.

Kontejnerët ishin gjithashtu të pajisur me kamera për monitorim në distancë.

Oficerët gjetën gjithashtu tre furgonë shpërndarjeje të vjedhur, dy vetura BMW, shtatë armë dore dhe një variant kinez i AK-47. “Në total, 25 armë u gjetën te të dyshuarit”, tha Prokuroria Kombëtare.

Autoritetet thonë se hetimi filloi në prill, gjatë të cilit oficerët ishin në gjendje të hynin në një rrjet bisedash të koduara - EncroChat - për të ndjekur lëvizjet dhe planet e grupit. “Nga kjo edhe mund të nxirret se kush ishin viktimat e synuara”, thuhet në deklaratë.

Gjashtë burrat që u arrestuan në lidhje me vendin e torturës, janë të gjithë nga Holanda. Një gjykatë e Amsterdamit të hënën urdhëroi ndalimin e tyre për 90 ditë.