“Deutsche Bank” dënohet me 133 milionë euro për marrëdhëniet me Jeffrey Epsteinin

“Deutsche Bank” dënohet me 133 milionë euro për marrëdhëniet me Jeffrey Epsteinin

Bota July 08, 2020 - 12:40

“Deutsche Bank” u gjobit me 133 milionë euro të martën për marrëdhëniet e saj me trafikantin dhe abuzuesin seksual me fëmijë, të akuzuarin Jeffrey Epstein, i cili vdiq në paraburgim ndërsa ishte duke pritur gjyqin, siç duket nga vetëvrasja.

Në një deklaratë Departamenti i Shërbimeve Financiare i Shtetit të New Yorkut tha se “Deutsche Bank” “dështoi të monitorojë në mënyrë të duhur veprimtarinë e klientëve, që vetë banka i konsideronte se ishin me rrezik të lartë”.

“Në rastin e Jeffrey Epsteinit në veçanti, pavarësisht se ishte e vetëdijshme për historinë e tmerrshme kriminale të Epsteinit, banka në mënyrë të pajustifikueshme dështoi të zbulojë ose të parandalojë transaksione të dyshimta në vlerë të miliona dollarëve”, njoftoi Mbikëqyrësja e Shërbimeve Financiare, Linda Lacewell, transmeton “Zeri.info”.

Marrëveshja përbën veprimin e parë të përmbarimit nga një rregullator kundër një institucioni financiar për marrëdhënie me Epsteinin.

Pagesat për “modelet ruse” dhe ndaj “mbiemrave të Evropës Lindore”

Departamenti i Shtetit të New Yorkut tha se “Deutsche Bank”, “pavarësisht informacionit të bollshëm” mbi veprimtarinë e llogarisë së Epsteinit, dështoi të monitorojë siç duhet, shkruan DW-ja.

Për shkak të dështimit të mbikëqyrjes së bankës ajo “përpunoi me qindra transaksione miliona dollarëshe, të cilat së paku do të duhej të kishin shkaktuar një kontroll shtesë mbi historinë e Epsteinit”, raportoi DFS-ja.

Këto transaksione përfshinin pagesa për individë, për të cilët pohohej publikisht se kanë qenë “bashkëkomplotistë të Epsteinit në abuzimin seksual të grave të reja”, si dhe marrëveshje në shuma mbi 7 milionë dollarë dhe pagesa për firmat juridike për më shumë se 6 milionë dollarë, pagesa këto që duket se janë bërë për shpenzime ligjore për Epsteinin dhe bashkëkomplotistët e tij.

Departamenti tha se janë bërë pagesa edhe “për modele ruse, pagesa për shkollimin e grave, për hotele dhe shpenzime të qirasë dhe (në përputhje me pretendimet publike për keqbërje paraprake) pagesa direkte për shumë gra me mbiemra të Evropës Lindore”.

Lacewelli përmendi edhe “tërheqjet periodike të dyshimta të parave nga Epsteini, mbi 800.000 dollarë gjatë afro katër vjetëve”, raporton DW-ja.

Javën e kaluar britanikja Ghislaine Maxwell, e cila akuzohej se e ndihmoi Epsteinin të siguronte vajza të mitura, u arrestua nën akuza federale. Seanca dëgjimore e saj e radhës është caktuar për të premten, në New York.

Epsteini ishte mik me Trumpin, Clintonin dhe Princin Andrew. /Zëri