Irani vendos kufizime të reja ndaj COVID-19

Irani vendos kufizime të reja ndaj COVID-19

Bota July 04, 2020 - 15:16

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani thotë se të gjithë iranianët që nuk bartin maska, nuk do të kenë qasje në shërbimet shtetërore dhe vendet e punës, që nuk respektojnë protokollet shëndetësore, do të mbyllen për një javë.

Rohani i bëri këto komente të shtunën, teksa prezantoi hapat e reja për luftimin e COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.

“Mosbartja e maskës de fakto është shkelje e të drejtave të njerëzve të tjerë”, tha ai.

Numri i të vdekurve në Iran ka arritur në 11,408, teksa numri i infektimeve me koronavirus është 237,878, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë. Por, numri real i infektimeve vlerësohet se është më i lartë.

Vendosja e maskës në Iran do të bëhet e detyrueshme prej 5 korrikut, tha Rohani, pas rritjes së numrit të infektimeve me koronavirus.

“Punëtorët qeveritarë nuk do të ofrojnë shërbime për njerëzit që nuk kanë maska dhe punëtorët që nuk respektojnë këto rekomandime, do të dërgohen në shtëpi”, tha Rohani./REL