Trumpi nënshkruan urdhrin për heqjen e ligjit që mbron mediat sociale

Trumpi nënshkruan urdhrin për heqjen e ligjit që mbron mediat sociale

Bota May 29, 2020 - 09:27

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të prezantojë legjislacionin që mund të heqë ose dobësojë një ligj që ka mbrojtur kompanitë e internetit, përfshirë Twitterin dhe Facebookun pasi që sipas tij duhet të rregullohen mediat sociale ku ai ka qenë i kritikuar, raporton Reuters.

Këtë urdhër ekzekutiv Trumpi e ka nënshkruar të enjten me 28 maj, pasi që ai dëshiron që të heqë ose ndryshojë një ligj të njohur si Seksioni 230 i cili mbron kompanitë e mediave sociale nga përgjegjësia për përmbajtjen e postuar nga përdoruesit e tyre.

Trumpi kishte sulmuar kompaninë “Twitter” për etiketimin e postimeve të tij në lidhje me pretendimet e tij të pabazuara të mashtrimit me votimin me postë.

Trump tha se Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së William Barr do të fillojë hartimin e legjislacionit “menjëherë” për të rregulluar kompanitë e mediave sociale, transmeton Zeri.info.

“Jam thirrur nga demokratët që duan ta bëjnë këtë, kështu që mendoj se do të kemi një situatë dypartiake”, tha republikani Trump, i cili po kandidon për rizgjedhje në nëntor.

Urdhri, siç është shkruar, përpiqet të anashkalojë Kongresin dhe gjykatat në drejtimin e ndryshimeve në interpretimet e krijuara prej kohësh të Seksionit 230. Kjo është përpjekja e tij të fundit për të përdorur mjetet e presidencës për të detyruar kompanitë private të ndryshojnë politikat që ai beson se nuk janë të favorshme për të.

Trump, i cili përdor Twitterin pothuajse çdo ditë për të promovuar politikat e tij dhe për të fyer kundërshtarët e tij, ka pretenduar prej kohësh se faqja është e njëanshme dhe në favor të demokratëve.

Ai dhe përkrahësit e tij kanë bërë akuza të njëjta të pabazuara kundër Facebookut, platformë të cilën kampanja presidenciale e Trumpit e shfrytëzon në masë të madhe si mjet reklamimi.