Spanja “lut” turistët t’i nisin pushimet nga korriku
Foto: Reuters

Spanja “lut” turistët t’i nisin pushimet nga korriku

Bota May 25, 2020 - 14:47

Spanja ka kërkuar nga turistët e huaj të hënën që të kthehen në vend nga korriku, pasi njëra nga masat më të rrepta izoluese në Evropë u lehtësua, por bizneset e turizmit ishin skeptike për shpëtimin e këtij sezoni të verës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton “Zeri.info”.

Vendi i dytë më i vizituar në botë mbylli dyert dhe plazhet në mars për të trajtuar pandeminë COVID-19, por megjithatë ishte dëshmitar i rasteve të shumta të vdekjeve me këtë sëmundje, ndërsa tani po planifikon që për pak javë të heqë obligimin për karantinë 14-ditore për ata që e vizitojnë vendin.

“Është krejtësisht koherente të planifikoni pushimet verore për të ardhur në Spanjë në korrik”, i tha radiostacionit “Onda Cero” ministrja e Turizmit, Reyes Maroto.

Spanja normalisht tërheq 80 milionë njerëz në vit me turizëm, që përbën mbi 12% të bruto-produktit të brendshëm e me një hise edhe më të madhe të vendeve të punës, kështu që sezoni i verës është thelbësor për mundësitë e zbutjes së një recesioni të afërt.

Megjithëse është lejuar hapja e hapësirave të jashtme me gjysmë kapaciteti nga e hëna, shumë bare dhe restorante në Madrid dhe në Barcelonë qëndruan të mbyllura pasi pronarët nuk e panë të arsyeshme t’i hapnin lokalet për pak njerëz, shkruan “Reuters”, transmeton “Zeri.info”.

Disa nga ata që i hapën, pasi stafi i pajisur me doreza dhe me maska i pastruan tarracat dhe i vendosën tavolinat në distancë, ishin pesimistë.

“Është e komplikuar, nuk do të jemi në gjendje të shpëtojmë sezonin turistik, përveç nëse vijnë mjaftueshëm të huaj”, ka thënë Alfonso Gomez, pronar i një restoranti në Barcelonë.

Një tjetër pronar restoranti, Celestino Pereda, ka thënë se bizneset në industrinë e turizmit “nuk mund të mbijetojnë” sepse shumë varet nga sezoni i verës.

Në rrugët e Barcelonës dhe të Madridit, të cilat janë goditur më keq se shumica e zonave të tjera, kalimtarët që po shijonin liritë e reja ishin më optimistë.

“Është mirë të ndiejmë sërish pak normalitet pas një periudhe kaq të gjatë”, ka thënë Rosie, shkrimtare dhe banore e Barcelonës.

Spanja ka regjistruar 28.752 vdekje me koronavirus dhe 235.772 raste, por numri i fataliteteve ditore ka rënë në nën 100 nga java e kaluar.