Belgjika nuk do të izolohet edhe nëse paraqitet një valë e re e epidemisë
Foto: Reuters

Belgjika nuk do të izolohet edhe nëse paraqitet një valë e re e epidemisë

Bota May 25, 2020 - 14:25

Belgjika nuk do të vendosë masa të rrepta të izolimit, sikurse në dy muajt e fundit, edhe nëse paraqitet një valë e dytë e përhapjes së koronavirusit, tha ministri i Brendshëm i Belgjikës, Pieter De Crem.

Në mesin e muajit mars Belgjika filloi zbatimin e masave kundër koronavirusit, duke lejuar funksionimin vetëm të dyqaneve ushqimore dhe të barnatoreve.

Megjithatë, në muajin maj ky vend lehtësoi disa masa, duke lejuar hapjen e bizneseve.

Ministri belg tha se masat e ashpra të bllokimit nënkuptonin që spitalet belge nuk duhej t'ua mohonin njerëzve kujdesin mjekësor.

"Nëse do të kishte një valë të dytë, atëherë unë mendoj se do të gjendemi në një situatë të ndryshme, përkatësisht me testime dhe me gjurmime të kontakteve. Unë mendoj se nga tash mund të përjashtojmë një rikthim në masat e rrepta të izolimit", tha De Crem.

Belgjika, ku gjendet selia e BE-së dhe e NATO-s, ka qenë ndër vendet më të prekura në Evropë, me 57.092 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19 dhe me 9.280 vdekje.

Qeveria e Belgjikës do të zhvillojë një takim me drejtuesit rajonalë dhe ekspertët ekonomikë dhe mjekësorë, më 3 qershor, për të diskutuar një lehtësim të mëtejshëm të kufizimeve. /Reuters