Amerikanët ‘harrojnë’ koronavirusin, mbushin plazhet për vikend
Foto: Reuters

Amerikanët ‘harrojnë’ koronavirusin, mbushin plazhet për vikend

Bota May 25, 2020 - 11:20

 

Amerikanët gjatë kësaj fundjave u panë të dalin në plazhe, të peshkonin prej anijeve e të hipnin në barka, e gjitha kjo në kohën kur numri i të vdekurve nga COVID-19 në SHBA po i afrohet 100 mijëshit, raporton “Reuters”, transmeton “zeri.info”.

Ky vikend shënoi “Ditën e Përkujtimit”, që shënon fillimin e verës në Amerikë dhe në kohë normale, në të gjithë vendin, varrezat janë të mbushura me flamuj amerikanë dhe mbahen ceremoni përkujtimi për të gjithë ata që vdiqën në luftërat e SHBA-së.

Kjo kohë, këtë vit, gjithashtu u shfrytëzua edhe për përkujtimin e gati 100 mijë të vdekurve nga pandemia e koronavirusit në SHBA.

Gjatë javës së kaluar, bazuar në një raport të “Reutersit”, në 11 shtete të SHBA-së u raportuan një numër rekord i rasteve të reja me COVID-19.

Ende nuk është e qartë nëse numri i rasteve po rritet nga shtimi i testimeve apo nga një valë e dytë e infeksioneve.

Rastet totale të SHBA-së janë mbi 1.6 milion, më të lartat në botë, ndërsa parashikimet për vdekje të mundshme nga COVID-19 ditëve në vazhdim, parashihet se do të mund të kalojnë mbi 100,000, deri më 1 qershor.

Image

Në kohën kur amerikanët dukej se po i përmbaheshin distancës sociale dhe rekomandimeve tjera, gjatë festës se fundjavës pati përjashtime të dukshme.

Këtu përfshihen plazhet e mbushura me njerëz në Florida dhe shtete tjera të gjirit, gjë që detyroi autoritetet të marrin masa për shpërndarjen e tubimeve të mëdha.

Videot e postuara në rrjetet sociale tregonin festa me shumë njerëz të mbledhur edhe në pishina.

Një festë e këtij lloji u pa edhe në një klub të Houston të quajtur “Cle”, e cila nxiti kreun e Bashkisë së qytetit Sylvester Turner, që të dielën të urdhërojë zjarrfikësit në të gjithë zonën metropolitane të zbatonin rregullat e distancës sociale.

“Ka shumë njerëz që po mblidhen duke shkuar në disa klube e bare tona, në ahengje në pishina, pa distanca sociale, pa maska”, tha Turner. “Është e qartë që njerëzit po grumbullohen, shihet që po mbushin maksimumin e kapacitetit që një lokal mund të ketë dhe nuk respektohet kërkesa e shfrytëzimit të vetëm 25-30% të tij”. /Zëri